Një krim në familje ka ndodhur mbrëmjen e së dielës (25 Korrik 2021) në fshatin Gurë e Vogël të Klosit. Një 47-vjeçar është gjetur i vdekur me shenja dhune brenda banesës së tij.
Viktima është Ylber Lezi. Dyshohet se ai është vrarë nga familjarët pas një sherri në familje. Kanë qenë banorët e tjerë ata që lajmëruan policinë për konfliktin që po ndodhte në familjen Elezi.
Sapo shkuan në vendngjarje, policia hasi në rezistencë për të hapur derën e banesës. Ka qenë bashkëshortja e viktimës e cila shfaqi rezistencë duke mos ju hapur derën shërbimeve të policisë. Uniformat blu thyen derën e banesës dhe hynë brenda.
Aty gjetën të vdekur 47-vjeçarin Ylber Lezi. Dyshohet se ai është goditur në kokë me sende të forta. Bashkëshortja e të ndjerit, Mine Lezi dhe vajza e çiftit A.Lezi kanë thënë se Ylberi ishte në gjumë. Ato kanë qenë në banesë gjatë kësaj kohe.
Policia e Matit ka shoqëruar bashkëshorten dhe vajzën për të hedhur më shumë dritë mbi këtë ngjarje.