Bota Protestat në Tunizi, presidenti shkarkon kryeministrin dhe “ngrin” Parlamentin

Protestat në Tunizi, presidenti shkarkon kryeministrin dhe “ngrin” Parlamentin

Presidenti i Tunizisë, Kais Saied, pezulloi punën e parlamentit për 30 ditë dhe shkarkoi kreun e qeverisë, Hichem Mechichi, pas një dite protestash kundër ekzekutivit për “keqmenaxhimin e koronavirusit nga ana e Qeverisë”.

Kreu i Shtetit i njoftoi këto masa në një kohë kur Tunizia përballet me kulmin e epidemisë Covid dhe një krizë të thellë politike që ka paralizuar vendin për muaj me radhë. Demonstrata të dhunshme u regjistruan në disa qytete, ndërkohë që policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

“Ne kemi vendosur të pezullojmë Parlamentin dhe të heqim imunitetin e deputetëve. Kushdo që mendon të përdorë armët dhe kushdo që qëllon, qoftë edhe një herë, e di se forcat e armatosura do të përgjigjen duke qëlluar”, tha presidenti Saied.

E gjithë zona përreth ndërtesave qeveritare, aktualisht është e blinduar dhe e mbrojtur nga forcat e sigurisë, parlamenti, selia e televizionit dhe ndërtesa e qeverisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Presidenciale, Khaled Yahyaoui, është emëruar përkohësisht në krye të Ministrisë së Brendshme.

Saied theksoi se ngrirja e Parlamentit për 30 ditë, heqja dorë nga imuniteti i deputetëve dhe shkarkimi i kryeministrit nuk përfaqësojnë “një grusht shteti”.

Kryetari i Parlamentit, Rached Ghannouchi, tha se veprimet e kryeministrit përbëjnë grusht-shtet dhe u bëri thirrje mbështetësve të partisë së tij islamike, Ennahda, që të protestojnë.

Dhjetë vjet më parë, revolucioni në Tunizi nxiti protesta pro demokracisë në të gjithë rajonin.

Por, shpresat se kjo do të sjellë më shumë punë dhe mundësi, nuk janë përmbushur.

Një dekadë më vonë, Tunizia lufton me një krizë të thellë ekonomike dhe me një nga shpërthimet më të këqija të koronavirusit në Afrikë.

Numri i rasteve është rritur ndjeshëm javëve të fundit, duke shkaktuar presion të mëtejshëm mbi ekonominë.

Kryeministri Hichem Mechichi e shkarkoi ministrin e Shëndetësisë javën e kaluar, por kjo nuk e zvogëloi zemërimin e qytetarëve.