Në raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve, kreu i SPAK, Altin Dumani ka vënë në dukje se krimi në Shqipëri është sofistikuar.
Ai vë theksin se grupet kriminale që drejtohen nga shqiptarët po konsiderohen nga ndërkombëtarët si banda një ndikim të madh, që kanë një shtrirje përtej rajonit, madje sipas tij, ato kanë krijuar lidhje të ngushta me vendet e origjinës së kokainës, konkretisht në Amerikën Latine.
Një tjetër shqetësim, sipas Dumanit, është fakti se në Dubai po qëndrojnë një numër i lartë i kriminelëve që në Shqipëri janë në kërkim.
“Kemi vënë re një rritje e sofistikimit të kryerjes së veprave penale. Grupet kriminale të drejtuara nga shqiptarët po konsiderohen nga ndërkombëtarët me një ndikim të madh në tregjet ndërkombëtare, kryesisht kanabis dhe kokainë, janë aktive në rajon, por edhe BE, Turqi dhe SHBA. Kanë qasje të drejtpërdrejtë në vendet e origjinës së kokainës duke krijuar një lidhje të fortë me organizatat kriminale në Amerikën Latine. Shihet një tendencë e lëvizjes së parave në vende jashtë juridiksionit shqiptarë, në parajsa fiskale duke rritur vështirësinë e gjurmimit, ka edhe sisteme informale të dërgimit të parave.
Problematik fakti që në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Dubai qëndrojnë një numër të madh të kërkuarish për vepra penale krim i organizuar që nuk po jepet një miratim për ekstradimin e tyre. Nisur nga kjo, kemi 28 procedime penale të nisura kryesisht”, tha Dumani.
Kreu i SPAK tha se është treguar kujdes i veçantë në rastet ku grupet kriminale nga jashtë vendosin pasuri në Shqipëri, duke theksuar se edhe kjo tipologji e rasteve është në rritje.
“Kemi rritje të numrit të konfiskimeve dhe sekuestrimeve të pasurive të paluajtshme. Në tetor të 2022 institucionet ligjazbatuese kanë rritur numrin e regjistrimit të veprave penale për pastrim parash. Raste për pastrim parash janë në rritje.
Janë evidentuar çështje nga juridiksione të huaja. Në lidhje me konfiskimet, Shqipëria ka përmirësuar performancën e saj.
Në SPAK pothuajse për çdo procedim penal kryhet dhe hetim pasuror. Nga ana e SPAK është treguar kujdes i veçantë ku tregohet se rastet kur grupet kriminale jashtë vendosin pasuri në Shqipëri”, tha Dumani.