Jordan Belfort u shpreh se “çmenduria” e kriptomonedhave do të shfaqë efektet negative shumë shpejt.
Jordan Belfort, ish-brokeri i përjetësuar në filmin “Ujku i Wall Street”, ka deklaruar se “lajthitja” aktuale në ICO (Initial Coin Offerings) është skema më e madhe e mashtrimit.
Paralajmërimi vjen pasi ICO-s, të cilat mbledhin fonde online duke iu shitur investitorëve kode dixhitale në këmbim të kriptomonedhave si bitcoin dhe ethereum, janë bërë tepër popullore. Deri më tani, brenda këtij viti, 202 ICO-s kanë grumbulluar 3 miliardë dollarë, sipas coinschedule.com, kryesisht për sipërmarrjet që premtojnë të përmirësojnë praktikat e tregtimit dhe të investimit në monedhat dixhitale.
Por tregu ka tërhequr vëmendje nga rregullatorët, të cilët janë të shqetësuar se investitorët e vegjël po mashtrohen me premtimin e kthimeve të mëdha. Muajin e kaluar Banka Qendrore Kineze mbylli një prej kompanive të këmbimit të kriptomonedhave, duke argumentuar se ka prishur rregullat ekonomike dhe financiare, ndërsa rregullatorët në Mbretërinë e Bashkuar kanë paralajmëruar investitorët që të jenë të përgatitur që vlera e investimit të tyre mund të shkojë në zero.
Belfort, i cili kaloi 22 muaj në burg pasi u shpall fajtor për pastrim parash, krahasoi situatën aktuale me fenomenin e “Blind Pools” në vitet ’70-’80, kur mblidheshin fonde pa u specifikuar investitorëve se si do të shpenzoheshin paratë e tyre. Shumë prej tyre u shpërbënë pa asnjë investim.
Promovuesit e fondeve të investimit në kriptomonedha po prezantojnë një nga skemat më të mëdha të mashtrimit, – tha ai. Me shumë gjasa 85 për qind e personave që marrin pjesë në këto skema nuk kanë qëllime të këqija, por problemi është se, nëse 5 apo 10 për qind po përpiqen që të ngrenë skema mashtrimi, kjo do të rezultojë katastrofë.
Por zoti Belfort, i cili u soll si personazh në ekran nga Leonardo Di Caprio në një film të vitit 2013, tha se teknikat e përdorura nga shitësit e ICO-ve kanë të bëjnë me: mbledhjen e fondeve, promovimi në mënyrë agresive në treg, nxitjen interesit – madje duke përdorur dhe njerëz të famshëm. Prandaj ai rekomandon që t’i shisni kriptomonedhat përpara se t’iu bjerë çmimi.
/FINANCIAL TIMES/