Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas qëndrimit të Presidentit Ilir Meta për të anuluar projektin e Unazës së Re.
Në një postim në “Twitter, Veliaj thotë se do të ishte zhgënjyese nëse vemi nga Presidenti anti-lodra, tek ai president anti-rrugë.
“Familjet pa strehë apartament falas. 10 PDV hartuar me kërkesë banorësh për ndërtime në unazë. Shpronësim 100%. Kompanitë hileqare në arrest. Unaza i duhet Tiranës. Do qe zhgënjyese nëse vemi nga Presidenti anti-lodra tek ai anti-rrugë!”.
Ndërkohë në një tjetër postim, Veliaj shkruan: “Çdo ditë, për orë të tëra, bllokohen në Unazën e Re nga protestat me djegie gomash e hunjsh dhe grupseksionet e dhunshme të PD Kamëz 99% e qytetarëve të Tiranës që as kanë zaptuar e as bëjnë lojëra politikë. Nëse Presidenti inkurajon këtë 1% të hurit e zjarrit, kot që flasim.”
Kjo është hera e parë që Veliaj del hapur kundër Presidentit Meta.
Mes kryebashkiakut të Tiranës dhe familjes Meta ka pasur një lloj miqësie dhe aleance politike.
Madje, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, nuk i ka kursyer epitetet lavdëruese për Veliajn.