Komisioni Evropian publikoi progres-raport për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për Shqipërinë, specifikisht në fushën e ekonomisë, Komisioni Evropian cilëson se qeveria shqiptare ka bërë progres në uljen e borxhit publik, i cili ka vazhduar uljen e tij me ritme më të shpejta seç ishte planifikuar për shkak të vlerësimit të monedhës shqiptare dhe kursimet në buxhet. Megjithatë niveli i borxhit në 67.3% të PPB është i rrezikshme, sidomos në rastet e pësimit të ndonjë krize ekonomike.
Progres-raporti vlerëson gjithashtu rritjen e PPB-së me ritme të kënaqshme, nga 2.2% në 2010-ën në 4.1% në tremujorin e parë të 2018-ës. Këtë rritje raporti ia atribuon rritjes së konsumit privat, normave të ulta të inflacionit dhe rrites së numrit të të punësuarve. Megjithatë, edhe pse ekonomia shqiptare po zgjerohet me norma pozitive, ajo ende mbetet në 29% të mesatares së shteteve evropiane, çka për Komisionin Evropian është një e metë.
Në lidhje me deficitin tregtar, Komisioni Evropian vlerëson se ai është në tkurrje e sipër. Kjo tkurrje ndihmohet nga remitancat, eksportet në mallra dhe shërbime, duke vlerësuar turizmin si komponentin kryesor. Megjithatë raporti cilëson se remitancat kanë një rënie të lehtë nga 5.8% e PPB-së në 2015-ën në 5.2% e PPB-së në 2018-ën dhe investimet e huaja direkte janë ulur për shkak të mbarimit të projekteve të mëdha si TAP etj.
Sipas progres-raportit inflacioni i mbajtur vazhdimisht nën objektiv dhe rritja e shpejtë e valutës nxiti lehtësime të mëtejshme monetare dhe ndërhyrje në këmbimin valutor nga Banka Kombëtare e Shqipërisë.
Në raportin e Komisionit Evropian i është dedikuar një sesion i veçantë edhe strategjisë së qeverisë për partneritetin publik-privat. Lidhur me këtë, theksohet se për shkak të pamjaftueshmërisë infrastrukturore që ekziston në Shqipëri, kombinuar me pamundësitë financiare, qeveria është duke kërkuar mobilizime të kapitalit privat për investime publike. Sipas raportit, investimet publike u rritën mesatarisht me 6.2% në vit në periudhën 2013-2018, dhe përbëjnë mesatarisht rreth 18% të shpenzimeve publike gjithsej. “Besimi në rritje te PPP gjeneron rreziqe fiskale, të cilat Njësia e Rrezikut Fiskal, e sapokrijuar, nuk i monitoron dot”. Raporti këshillon se financimi për infrastrukturë të re mund të jetë më efikas duke përfituar potencialin për sinergji në planifikimin dhe ekzekutimin e të dy, PPP-ve dhe investimeve publike konvencionale.
Sa i përket klimës së të bërit biznes në Shqipëri, Komisioni Evropian vlerëson se ajo ende mbetet poshtë potencialit të vet dhe se politikat e ndërmarra kanë pasur shumë pak efekt. Përveç sektorit të agro-turizmit, çdo sektor tjetër ka pasur rënie të numrit të ndërmarrjeve, qoftë me investitorë të huaj, qoftë me investitorë të brendshëm. Sipas raportit: “Shqetësimet kryesore të ngritura nga komuniteti i biznesit përfshijnë mungesën e zbatimit efektiv të legjislacionit, ndryshimeve ad hoc në rregullatorë ligjorë, procedurave të vështira të pagesave tatimore, informaliteti i lartë dhe përdorimi i diskutueshëm i prokurimit publik. Konsultimi me sektorin privat është joefektiv. Përveç kësaj, zhvillimi i një tregu të përshtatshëm të pasurive të paluajtshme është penguar nga mungesa e një kadastre dhe problemit të titujve të tokës që janë të rrethuara nga konfliktet e pronësisë.”
Tjetër kritikë nga raporti vjen për sektorin e energjisë, i cili sipas Komisionit Evropian duhet liberalizuar. Ndarja funksionale e sistemit të shpërndarjes nga operatorët gjenerues nuk ka përfunduar. Kompanitë përballen me vështirësi në qasjen e lirë në treg dhe çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët nuk janë plotësisht konkurruese, çka siguron pak nxitje ekonomike për kompanitë e energjisë elektrike që të hynë në treg. Megjithatë po në këtë sektor, raporti vlerëson reformën për eliminimin e humbjeve në rrjet.
Për sa i përket nivelit të papunësisë progres-raporti cilëson se rritja e punësimit prej 2.7% në vitin 2017, ka lejuar që norma e papunësisë të bjerë nga 15.6% në 2016-ën, në 14.1% në 2017-ën dhe në 12.8% në 2018-ën. Megjithatë, rritja e punësimit u ngadalësua më tej në 2017-ën, duke rënë në 2.1%. Shkalla e lartë e papunësisë së të rinjve vazhdon të bjerë, duke rënë nga 33.2% në 2015-ën në 23.1% në 2018-ën.
Në nivele të përgjithshme progres-raporti vlerëson se tre tendenca vazhdojnë të transformojnë strukturën e ekonomisë shqiptare: zhvendosja e rëndësishme e punësimit në sektorin privat jobujqësor; rënia e rëndësisë së bujqësisë dhe rritja e orientimit të ekonomisë drejt sektorit të shërbimit.
Në përfundim të progres-raportit për ekonominë, Komisioni Evropian vlerëson se sa i përket fuqisë kompetitive të ekonomisë shqiptare me ekonomitë evropiane, edhe pse është bërë një punë e mirë, Shqipëria ka probleme thelbësore në zhvillimin e teknologjisë së ekonomisë së saj dhe në sektorin e arsimit e edukimit për të prodhuar resurse njerëzore të konkurruese me vende të tjera.(Scan)