Guxoi të kritikonte regjimin dhe ia komplikoi shumë gjërat vetes. Atletja bjelloruse e garave të shpejtësisë, sprinterja Kristina Timanovskaja, është tërhequr nga Olimpiada dhe është çuar me forcë në aeroportin e Tokios për t’u riatdhesuar. Sapo shkoi në aeroport, atletja 24-vjeçare kërkoi ndihmën e policisë, duke denoncuar atë çfarë i ndodhi edhe me një video në rrjetet sociale.
Me anë të kësaj videoje Kristina Timanovskaja kërkoi edhe ndihmën e Komitetit Olimpik. Ajo duhej të garonte në 200 metra, por u ankua në Instagram se ishte regjistruar në këtë garë në momentin e fundit pa dijeninë e saj. Po ashtu, do të garonte edhe në stafetën 4×400, duke zëvendësuar atletet që nuk shkuan në Japoni për shkak mungesës së tamponëve. Pas ankesave të saj në Instagram, nga Bjellorusia u dha urdhri për riatdhesim.
Sportistja e bëri apel CIO-s, që u kërkoi llogari për situatën drejtuesve që shoqërojnë Bjellorusinë në Tokio. Ata shpjeguan se kërkesa për riatdhesim ishte bërë nisur nga gjendja psikologjike jo e mirë e atletes. “Belarus Sports Solidarity Foundation (Bssf)”, shoqata që mbështet sportistët e opozitës në Bjellorusi, ka bërë me dije se asnjë mjek nuk e vizituar Kristinën. 24-vjeçarja qëndroi në aeroport për disa orë, nën kujdesin e policisë japoneze, ndërsa avioni ku duhej të hipte, u nis pa të. Sportistja ndërkohë ka kërkuar azil politik.
Më pas, zëdhënësi i CIO-s, Mark Adams, ka deklaruar se Timanovskaja e ka kaluar natën në një hotel në aeroportin Haneda të Tokios, në një vend të sigurt, por pa dhënë detaje të tjera. Tani është në dorën e autoriteteve të CIO-s, që i ka kërkuar komitetit olimpik bjellorus një raport me shkrim për çështjen.
Republika Çeke dhe Polonia reaguan në lidhje me rastin dhe thanë se janë gati që t’i ofrojnë atletes një vizë. Vetë spritnerja po mendon që të kërkojë azil në Evropë.