Bashkimi Evropian i paralajmëroi politikanët kosovarë se prioritet i tyre në këto momente duhet të jenë qytetarët dhe jo interesat politikë.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, i bëri komentet pas nismës së Lidhjes Demokratike në Kosovë për mocion mosbesimi kundër Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
“Situata aktuale dhe e paparë me COVID-19 kërkon konsensus, unitet politik dhe qëllime të përbashkëta. Andaj, theksojmë: Partitë politike, para së gjithash, duhet të brengosen për të mirën e njerëzve dhe jo interesat partiake”, tha Pisonero, duke theksuar se institucionet evropiane po i monitorojnë nga afër zhvillimet në Kosovë.
Kosova, sikurse edhe vendet e tjera të botës, po përballet me pandeminë e koronavirusit COVID-19.
Kurti ka shkarkuar këtë javë ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, duke thënë se ai nuk i ka mbështetur qëndrimet e qeverisë për gjendjen e jashtëzakonshme rreth koronavirusit dhe se ka përhapur panik në lidhje me këtë sëmundje.
Në përgjigje, LDK-ja – parti partnere e koalicionit qeverisës – ka iniciuar mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti./ REL