Nga Artan Fuga
Protestat e studentëve e tronditën disi shoqërinë tonë të mykur dhe të ndryshkur. I nisi kush i nisi, si i nisi dhe përse i nisi, nuk ka pikë rëndësie. U bashkua një turmë të rinjsh e të rejash studentë, e gëzuar, e mënçur, e shkathët, plot ironi dhe mllef që protestoi për ditë të tëra duke përqeshur politikën, arsimin, ekonominë, nivelin e dobët të demokracisë shqiptare, e gjithçka tjetër që rëndon mbi brezin e ri!
U brohorit, u shkruajtën parrulla, u hodhën dhe u pritën batuta, u kërkua dialog, u bë monolog, u bisedua, gjithçka u vu në dyshim.
Ishte një tronditje e madhe shoqërore. Pa kokë. Sigurisht sepse askush nuk vendos në pikëpyetje të ardhmen e tij për të dalë zëdhënës i protestës në këtë shoqëri hakmarrëse politikisht që Shqipëria ka prej dekadash.
Por, një pyetje mbetet dhe kërkon përgjigje: Gjithë këto institucione që kemi përse heshtin? Përse nuk bënë dhe nuk bëjnë detyrën e tyre? Përse janë paralizuar në kolltuqe pa rrota si tetraplegjikë? Përse janë bërë si ata majmunët që as shohin, as dëgjojnë, as flasin, madje as nuk masturbohen, do të thoshim nëse do t’i mbeteshim metaforës të katër majmunëve që simbolizojnë moskomunikimin? Përse i paguajmë me taksat tona? Po ata që i drejtojnë apo punojnë aty përse nuk bëjnë detyrën?
Le t’i marrim disa me radhë.
Janë në fillim agjencitë që varen nga ministria e arsimit dhe sidomos ASCAL-i që merret me sigurimin e cilësisë dhe KALKSH-i që është agjencia që do të duhej të përpunonte strategji për arsimin e lartë.
Nuk u vjen turp profesionalisht që derisa plasën revoltat studentore nuk thanë asnjë fjalë, nuk lëshuan asnjë thirrje publike, nuk dërguan asnjë sinjal në media a në rrugë zyrtare për çka do të ndodhte? Dhe kur nuk kanë aftësi parashikuese, përse i duam atëhere? Përse paguajnë me taksat tona memurë dhe individë të paaftë, profesionalisht tetraplegjikë, përse mbajmë në këmbë institucione të paralizuara?
Si nuk ka bërë zë ASCAL-i për të na treguar me ndonjë studim se ku nuk ecën matja e cilësisë të institucioneve tona universitare? Si është e mundur që KALKSH-i që i kanë besuar me ligj udhëheqjen mendore dhe analizën e arsimit të lartë nuk ka bërë asnjë deklaratë ose ka ndërmarrë ndonjë diskutim publik për gabimet e rënda, disfatat, orientimin e gabuar të arsimit tonë të lartë?
Cfarë bëjnë xhanëm kur nuk bëjnë detyrën e tyre!!!
Le t’i harrojmë për një çast. Po INSTAT-i me çfarë të dhënash na tregon se gjendja e studentëve ishte në atë pikë sa do të shpërthente në revolta dhe protesta. Si nuk ka bërë një raport me të dhëna të plota e të besueshme për të treguar gjendjen ekonomike të studentëve, për studimet universitare që janë të papërballueshme nga mijra familje shqiptare! Si nuk na tregoi një herë për papunësinë e rëndë intelektuale. Për varfërinë studentore as që bëhet fjalë! Kush e ka penguar në fakt që të arrinte të bënte prognoza prediktive, parashikuese, mbi bazën e të dhënave që mbledh?
A nuk mban përgjegjësi? Po tani cfarë bën që nuk na jep një sinopsis të së ardhmes?
Përse ka mbyllur gojën, pasi kishte mbyllur veshët dhe sytë? Përse e paguan qeveria një herë?
Baza e të dhënave statistikore duhet të jetë si një platformë që duhet të ndjeki edhe dridhjet më të lehta tektonike të shoqërisë. INSTAT-i ynë fle gjumë!
Hajde ta lemë edhe atë. Po ministritë që tani po dalin dhe po na thonë se çdo ministër do të na marrka në patronazh një fakultet!!! Krejt për të qeshur dhe për të qarë. Ik o ministro bëj punët e tua në zyrë dhe mos u ngatërro me universitetet! Pse sa herë ndrohen ministrat do të ndryshohen edhe bartësit e paternalizmave mbi universitetet? Ministritë heshtin dhe nuk flasin për detyrimet e tyre që kanë edhe për arsimin e lartë.
Pa të na thotë ministria e bujqësisë se sa agronomë, veterinierë, biologë, etj., ekologjistë, etj., i duhen zonave tona rurale për njëzet vjetët që do të vijnë! Eshtë njësoj sikur t’i kërkosh Nostradamusit se kur do të bjerë tërmeti i parë në hënë në shekullin XXII.
Na thotë dot ministria e arsimit se sa mësues në sistemin parauniversitar i duhen Shqipërisë në 50 vitet që vijnë në mënyrë që të orientohen fakultetet e mësuesisë në diplomimin në profesionet përkatëse? As është kthyer nga ajo anë.
Na thotë dot ministria e ekonomisë se në cfarë profesionesh priten të hapen vendet e reja të punës në Shqipërinë e dekadës që vjen? Në vend të merren me patronazhe, me takime me prindër, a me budalliqe të këtij lloji le të përballojnë detyrat e tyre pa realizimin e të cilave universitetet mbesin pa busull.
Mos flasim për Akademinë e Shkencave e cila as sheh, as dëgjon, as nuhat, as flet, as “masturbon”!
Ka kohë që është ulur në kolltukun paraplegjik dhe vegjeton si bimë shumë vjeçare. Me çfarë do të merrej Akademia e Shkencave nëse nuk merrej pikërisht me gjendjen e kërkimit shkencor, me shkencëtarët e ardhshëm, me dijen universitare si orientim strategjik? Heshtin akademikët sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk guxojnë të flasin sepse kanë frikë se tërheqin inatin qeveritar dhe pastaj kushedi çfarë ndodh me platformën e gjoja rinovimit që Akademia e Shkencave dhe Ministria e Arsimit kanë gatuar si gjellë e pashijshme, gatuar pa kripë, mbetur pa erë, aromë dhe shije!
Si nuk u vjen turp gjithë atyre akademikëve që heshtin duke marrë honorare dhe qarkulluar fonde kur një fjalë nuk dinë të thonë, një debat nuk dinë të hapin. Merren me yjet, dhe nuk hedhin dot një vështrim mbi atë që po ndodh në inteligjencën dhe dijen kombëtare.
Por, t’a lemë edhe Akademinë e Shkencave në kolltukun e vet tetraplegjik dhe të pyesim për bordet e universiteteve. Kanë vite që i rrjepin universitetet me honorare gjoja se do të bënin drejtimin administrativ të tyre. Lëre se çfarë kanë katranosur. Dhe tani heshtin! Flasin gjoja senatet se do të ulin tarifat!!! E kush i autorizon senatet të merren me anën financiare dhe administrative!!! Bordet heshtin. Janë masturbuar si majmunët me vite të tëra, tani nuk shohin, nuk dëgjojnë nuk flasin po si ata katër majmunët e metaforës të moskomunikimit!
Institucionet tona heshtin. Duket se drejtuesit dhe nëpunësit e tyre fshihen pas zotit kryeministër. Atëhere perse i duam? Le të kemi vetëm kryetarin e qeverisë dhe mos kemi as borde universitetesh, as akademi shkencash, as agjenci të ministrisë të arsimit, as Instat, as dikastere, as gjë prej gjëje. Ata vetëm harxhojnë paranë tonë publike dhe janë krejt të paralizuara.
Cfarë i duam?
Por, përpara sesa të themi këtë, le të pyesim se përse janë bërë tetraplegjike institucionet tona në kohë krize?
Sepse janë mbushur me militantë dhe me servila që nuk guxojnë të thonë një mendim jo kundër, por as të pavarur nga pushteti dhe politika.
Sepse sistemi i zyrave tona është tërësisht i centralizuar. Piramida zbret nga lart poshtë. Ata që janë poshtë përsërisin ato që shohin në sytë e atyre që janë lart. Prandaj bosat tanë politikë, sikurse i quante Maks Weberi nuk kanë këshilltarë, sepse këshilltari ka frikë të këshillojë.
Sepse kuadri ligjor i funksionimit të institucioneve tona është i tillë që i paralizon ato. Sepse nuk do shoqëria dhe politika të ketë pluralitet zërash institucionalë.
Gjeli nuk do pula në qymez.
Ja kështu jemi ne.
Gjithë ajo krizë universitare, kam pritur ndonjë mbledhje, deklaratë, a debat në kuadrin e konferencës të rektorëve. Kujt mo kujt? Je në vete mo? Të mblidhet konferenca e rektorëve që të kryejë detyrën e tyre sipas ligjit tani që në Universitete ka rënë flaka dhe kolera?
Hesht edhe konferenca e rektorëve. Më kujtohet pak a shumë një vjershë ruse për fëmijë ku të gjithë me përjashtim të lumtit Vollga flenë!
Heshtje varri!
Të gjithë flenë, edhe minjtë, edhe dhelprat dhe arinjtë!
Vetëm dialogje të zotit kryeministër me grupe studentësh aty këtu. Por, me ata që nuk flasin, jo me ata që flasin. Vetëm disa asamble pedagogësh kanë ngritur zërin. Ato anatemohen nga politika në fuqi dhe nga mediat e saj. Mbylleni gojën edhe ju!
Askush nuk duhet të flasi;
Askush nuk duhet të ngrejë probleme!
Askush nuk duhet të parashikojë!
As mos flisni,as mos dëgjoni, as mos nuhasni, vetëm masturbohuni me fjalë nëpër studio televizive a Kuvend!
Dhe pastaj një shoqëri që nuk sheh dhe nuk nuhat nuk di nga i vjen e papritura. Atë që nuk e sheh dot është e detyruar t’a ndjejë si shuplakë, si thikë në palcë!
Ja përse institucionet nuk ndjejnë. Janë anestezuar, janë mpirë! Janë bërë dru!
Marrin rrogat dhe rrinë!
Si struci kanë zhytur kokën në rërë!