Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS në Mal të Zi propozuan formimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike në këtë shtet.
Dritan Abazoviç, zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Ura, tha në një konferencë për mediat se të gjithë deputetët e Parlamentit malazez duhet të përkrahin modelin e një qeverie të pakicës, si mënyra e vetme për të zhbllokuar rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Europian.
“Ne ofrojmë një zgjidhje të mundshme, por nuk e imponojmë. Është koha që të zhbllokohet rruga për në Bashkimin Evropian. Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhje e qartë”, tha Abazoviç.
Partitë që do të përbënin qeverinë e pakicës kanë 14 deputetë në parlament dhe kanë nevojë për mbështetjen e 30 deputetëve të partisë më të madhe opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS). Parlamenti i Malit të zi ka 81 deputetë.
Propozimi për krijimin e një qeverie të pakicës ishte bërë një vit me parë nga lideri i partisë opozitare Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj.
Sipas propozimit të Gjeloshajt, në qeveri do të hynin partitë parlamentare nacionale dhe një pjesë e partive qytetare, të udhëhequra nga Lëvizja Qytetare Ura, e cila është në pushtet, ndërsa kryeministër do të duhej të ishte lideri i tyre, Dritan Abazoviç.
Qeveria aktuale e kryeministrit Zdravko Krivokapiç, që nga fillimi i mandatit ka qenë në shënjestër të kritikave nga strukturat e shumicës qeveritare.