Giussepe Conte mundi të marrë besimin e Dhomës së Ulët ditën e hënë pas krizës politike shkaktuar nga tërheqja nga koalicioni e deputetëve të partisë së Matteo Renzit. 321 vota pro tij, duke kaluar me 6 vota më shumë mazhorancën absolute që kërkohej për votëbesimin.
Megjithatë, siç ishte parashikuar, sot është sfida më e vështirë për kryeministrin italian. Ai do të dalë përpara Senatit dhe pritet të kërkojë besimin e senatorëve për të vijuar me punën në krye të vendit.
Siç shkruajnë mediat italiane, votëbesimi pritet të ndodhë rreth orës 20:30, ndërsa përpara kësaj do të ketë një debat të fuqishëm.
Por a i ka Conte numrat në favor?
Për shumë analistë, ky është testi i vërtetë i kryeministrit italian. Në pamje të parë, ai nuk ka pas vetes numrat që të fitojë votëbesimin. Mazhoranca në Senat duhet të jetë 161 vota, por mediat deri më tani parashikojnë që Conte mund të arrijë deri në 155 vota pro.
Mirëpo ka dritë në fund të tunelit për kryeministrin italian. Kjo pasi disa senatorë të vjetër, mund t’i japin atij besimin. Ndërkohë deputetët e Renzit me të cilët ishte në koalicion mund të abstenojnë, njësoj siç bënë në votëbesimin e Dhomës së Ulët.
Me partinë Italia Viva, qeveria kishte 165-170 vota në Senat. Por mosmarrëveshjet për planin e rimëkëmbjes ekonomike për krizën e Covid-19 shkaktoi largimin e ministrave të Renzit, duke krijuar një krizë në qeveri.
Mediat kanë shkruar këto ditë se Conte do u besojë edhe aleatëve për gjetjen e numrave të nevojshme për të marrë votëbesimin.