Pengesat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Britani janë hequr. Partia Laburiste do të mbështesë mocionin e qeverisë për të çuar vendin në votime me 12 dhjetor.
Lideri opozitar, Jeremy Corbyn, tha se me shtyrjen e Brexit deri më 31 janar të 2020-ës, u përmbush kushti i tij i vetëm.
“Vazhdimisht kam përsëritur se jemi gati për zgjedhje, por vetëm me përjashtimin e mundësisë së divorcit pa ujdi nga Bashkimi Europian. Tashmë kërkesa jonë është respektuar”, u shpreh ai.
Ndërkohë, një ditë më parë laburistët refuzuan mocionin e konservatorëve për zgjedhje të parakohshme pikërisht për shkak të këtij kushti.
Kryeministri Boris Johnson kërkon me forcë rinovimin e Parlamentit me bindjen se do të arrijë një mazhorancë të mjaftueshme për të aprovuar ujdinë e re për Brexit.