Opozita e Maqedonisë së Veriut duket se nuk i ka numrat për rrëzimin e qeverisë. Pak pas nisjes së seancës për votëbesimin e qeverisë Zaev, VMRO-DPMNE-ja në opozitë kërkoi ndërprerjen e saj, meqë i mungon një deputet, nga 61 që i nevojiten për votëbesimin.
Më herët, Kastriot Rexhepi, deputeti i Lëvizjes Besa, e cila më herët mbështeti nismën e opozitës, duke u tërhequr nga qeveria, njoftoi përmes një postimi në Facebook se nuk do të merrte pjesë në seancë, pasi, siç tha, do të vinte interesin e popullit në radhë të parë.
Kastriot Rexhepi u shpreh: “Si politikan dhe deputet i përgjegjshëm, mora këtë vendim jo të lehtë, duke vënë interesin e popullit dhe shtetit në radhë të parë. Shteti në këtë periudhë të rëndësishme nuk ka nevojë për krizë politike dhe zhytje në ujëra të turbullta me plot të panjohura”.
VMRO-DPMNE, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, si dhe Lëvizja Besa, besonin se kishin siguruar votat e 61 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Ndërsa partitë në pushtet thanë pas takimit mes partnerëve të koalicionit se nisma do të dështonte.
Zoran Zaev kishte njoftuar dorëheqjen një ditë pas zgjedhjeve të 30 tetorit, por mbrëmjen e së martës bëri të ditur shtyrjen e vendimit. Nisma për mosbesimin e qeverisë, ndërkohë, pësoi disa ndryshime, pasi një deputet i Alternativës, Skënder Rexhepi, nuk ishte pajtuar që pjesë e nënshkrimit të jenë deputetë të partisë së majtë, e kritikuar për qëndrime antishqiptare dhe antiperëndimore.
Partia tërhoqi nënshkrimet, në mënyrë që pjesë e nismës të jetë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së. Alternativa ka thënë se të 4 deputetet e saj do të votojnë për rrëzimin e qeverisë.