Pas vendit të tretë në 1998 dhe të dytit në 2018, Kroacia rikthehet sërish në podiumin e Botërorit duke mundur 2-1 Marokun në finalen e vogël.
Gjithçka për sa i përket rezultatit ndodhi ne pjesën e parë. Kroatët kaluan në avantazh në minutën e 7-të me një nga skemat më interesante të viteve të fundit, e finalizuar nga mbrojtësi Gvardiol, që kështu “hakmerret” me gol pas performancës së dobët kundër Leo Messit.
Gëzimi kroat zgjati vetëm pak minuta, sepse në të 9-ën po nga një goditje dënimi erdhi barazimi i marokenëve me anë të Dari. Mbrojtjet e dy vendeve duken pak më të çliruara nga tensioni i mëparshëm, dhe këtu përfitoi kroati Orsic në minutat e fundit të pjesës së parë, që me një goditje “alla Del Piero” gjeti avantazhin.
Në pjesën e dytë rastet janë më të pakta, dhe përtej lodhjes shfaqet edhe nervozizmi, veçanërisht te përfaqësuesja nga Afrika që gjithsesi morën duartrokitjet e të gjithëve pas asaj që dha në këtë Botëror.
Kroacia merr kështu vendin e tretë, pas finales në edicionin e mëparshëm, ku u mposht nga ajo Francë që nesër do të tentojë të shpallet sërish kampion përballë Argjentinës.