Njerëzit e moshuar dhe obezë janë më të rrezikuar të hospitalizohen nga koronavirusi se sa ata që vuajnë nga kanceri apo sëmundjet e mushkërive.
Dy studime të universitetit të Nju Jorkut në mbi 8,000 pacientë zbuluan se të jesh mbi 65 vjeç ose të kesh indeks të peshës trupore (BMI) mbi 30 (pra të jesh obez) ishin predispozitat kyçe që bënin njerëzit të spitalizoheshin. Studiuesit panë se rreth gjysma e pacientëve të hospitalizuar me koronavirus ishin 65 vjeç e sipër.
Shkencëtarët bien dakord se mosha e madhe ishte një prej treguesve kyç të atyre që mund të shtrohen në spital e të kenë nevojë për kujdes intensiv mjekësor.
Ndërsa një studim tjetër vuri re se pacientët nën 60 vjeç ishin dy herë më të rrezikuar për të pasur nevojë për kujdesje intensive mjekësore apo pajisje të frymëmarrjes artificiale nëse ishin obezë, duke e bërë kështu obezitetin treguesin e dytë më të rrezikshëm për ata që sëmuren nga koronavirusi.
Përbënte habi për kërkuesit fakti se nuk kishte lidhje të fortë midis atyre që konsumonin duhan dhe atyre që ishin në gjendje të rëndë shëndetësore prej Covid-19.
Veçse 5% e gjithë atyre që ishin hospitalizuar, ishin përdorues të rregullt të duhanin. Nuk është akoma e qartë arsyeja e kësaj gjetjeje, por edhe një studim tjetër nga Kina konfirmon të njëjtën gjë; madje ai sugjeron që duhanpirësit kanë një risk më të ulët të infektimit nga virusi.
Njerëzit e moshuar janë disa herë më të prirur të infektohen rëndë nga koronavirusi si rezultat i sistemit të tyre imunitar të dobësuar.
Ndërsa pacientët obezë janë më të prirur të infektohen rëndë nga koronavirusi pasi sistemi i tyre imunitar është i fokusuar në riparimin e inflamacionit të shkaktuar nga shëndeti i tepërt.
Në një prej studimeve më të mëdha të të dhënave mbi rastet e Covid-19, studiuesit e shkollës së mjekësisë në Universitetin e Nju Jorkut kanë analizuar të dhënat e pacientëve nëpër spitalet njujorkeze të mbi 4,103 individëve pozitivë me koronavirus. Të gjithë pacientët ishin nga ky qytet, epiqendra më e madhe e të infektuarëve me Covid-19 në botë dhe ishin diagnostikuar midis 1 marsit dhe 2 prillit.
Nga këta të diagnostikuar pozitivë 1,999 pacientë u shtruan në spital për kujdes të mëtejshëm mjekësor pasi simptomat e tyre ishin përkeqësuar. Studiuesit gjetën se dy prej faktorëve karakterizues të atyre që kishin simptoma të rënduara ishin mosha mbi 65 vjeçe dhe obeziteti.
Autorët e studimit u shprehën të surprizuar që sëmundjet nga kanceri dhe mushkëritë nuk shfaqeshin si variabla me influencë më të lartë në modelet e tyre të riskut tek ata individë që ishin shtruar në spitale si pasojë e përkeqësimit të simptomave prej koronavirusit.
Studimi është postuar për momentin në sajtin arkivë medRxiv dhe akoma nuk është botuar në gazetë shkencore pasi pritet të rishihet dhe nga akademikë të tjerë për saktësime të mëtejshme.
Në këtë studim u gjet se veçse 5 % e atyre që ishin shtruar nëpër spitale janë aktualisht duhanpirës. Kjo është tre herë më e vogël se 15.5 % e duhanpirësve ekzistues të qytetit të New York-ut.
Konsumi i duhanit është vënë në dukje si një prej treguesve që influenconte më së shumti tek ata individë që sëmureshin rëndshëm, sipas studimeve të bëra në Kinë dhe Itali. Por studimi i New York-ut e hedh poshtë këtë teori.
Një ekip ekspertësh nga Wuhani, nga ku e pati origjinën koronavirusi, ishin të habitur mbi faktin e zbuluar se duhanpirësit ishin më pak të prirur për t’u infektuar nga koronavirusi.
Kjo ka ngritur pyetjen nëse vallë përdoruesit e cigareve mund të jenë në risk më të ulët për t’u infektuar nga covid-19.
Në një analizë tjetër kërkuesit e Universitetit të New York-ut vunë re se obeziteti ishte faktori kyç që kontribuonte në hospitalizimin e atyreve individë që prekeshin nga ky virus e ishin nën moshën 60-vjeçare. Analiza e cila u publikua në gazetën mjekësore “Clinical Infectious Diseases” pa të dhënat e 3,615 pacientëve që kishin testuar pozitivë midis 4 marsit dhe 4 prillit.
Ajo gjeti se ata individë që kishin indeks të peshës trupore (BMI) më të lartë se 30 ishin dyfish më të riskuar të shtroheshin në spital për kujdesje mjekësore intensive.
Gjithashtu studimet e mëparshme kanë treguar se njerëzit obezë janë disa herë më të prirur për të kaluar komplikacione serioze apo të vdesin nga infeksione si gripi i zakonshëm.
Doktorët shprehen se sistemi imunitar i njerëzve mbipeshë është gjithë kohës në gjendje lufte pasi përpiqet të mbrojë dhe riparojë dëmin që inflamacioni (i shkaktuar nga shtresat e tepërta të dhjamit) i’u shkakton qelizave.
Por duke përdorur energjitë e saj në mbrojtjen e inflamacionit, sistemit imunitar të trupit i mbeten më pak burimë për t’u mbrojtur nga infeksione si koronavirusi.
Gjithashtu njerëzit obezë zakonisht hanë një dietë me pak fibra e antioksidantë si frutat dhe perimet të cilat e mbajnë sistemin imunitar të shëndetshëm.
Pesha e tepërt e bën më të vështirë për diafragmën dhe mushkëritë të zgjerohet dhe të thithë oksigjen. E pa oksigjen organet nisin të mos funksionojnë.
Këta faktorë mund të shpjegojnë pse mushkëritë e njerëzve obezë priren të përkeqësohen më herët kur pandemia i godet këta individë krahasuar me njerëzit e shëndetshëm.
Një raport tjetër i publikuar nga NHS (sistemi shëndetësor publik i Mbretërisë së Bashkuar) tregon se pacientët e prekur nga koronavirusi që janë nga etniciteti afrikan e atyre të tjera në minoritet mund të jenë në risk më të madh për të kaluar komplikacione vdekjeprurëse.
Pavarësisht se përbëjnë 13% të popullsisë së Anglisë, një të tretat që sëmuren në gjendje kritike nga koronavirusi vijnë nga etnicitetet në minoritet si ato afrikane, aziatike etj.
Ky studim nga Auditi Kombëtar i Kujdesit Intensiv dhe Qëndrës së Studimeve (Intensive Care National Audit and Research Centre), tregon se 14% e të infektuarve që ishin në gjendje riskoze për jetën ishin afrikanë, 14 % të tjerë ishin aziatikë dhe 7% ishin nga minoritetet e tjera.
Studimi i 2,249 pacientëve të analizuar ka ngritur frikëra se komunitetet jo të bardha mund të përjetojnë një masë disproporcionale të rasteve më vdekje si pasojë e pandemisë.
Anëtarët e komuniteteve të minoriteteve etnike janë dyfish më me mundësi të jetojnë në varfëri e si rezultat të goditen më fortë nga virusi.
Ata që jetojnë në varfëri konsumojnë duhan e alkol më shumë e si pasojë janë më të prirur të jenë obezë, të gjithë këta faktorë rrisin riskun e sëmundjeve shëndetësore kronike.
Pacientët me shqetësime shëndetësore ekzistuese gjithashtu hasin vështirësi në luftimin e koronavirusit e si rezultat priren të kenë pneumoni.
Ndërsa ata që janë të varfër është më e mundur që të përdorin transportin publik dhe të jetojnë në shtëpi me shumë anëtarë, gjë e cila rrit shanset që ata të infektohen dhe të përhapin virusin.
Profesorët Kamlesh Khunti dhe Wasim Hanif nga Fondacioni i Shëndetësisë për Azinë Jugore shprehen se doktorët po vejnë re një numër shqetësues disproporcional të pacientëve aziatiko-jugorë me simptoma të përkeqësuara nga kornavirusi.
Profesor Khunti shprehet, “Ne jemi të shqetësuar për këtë dukuri e dëshirojmë të mësojmë më shumë mbi arsyet, por na nevojiten akoma e më shumë të dhëna”./Daily Mail