Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit, u largua nga Komisioni Hetimor për inceneratorët, pasi debatoi ashpër me anëtarët demokratë të Komisionit Hetimor për inceneratorët. Duke refuzuar t’i përgjigjej pjesës më të madhe të pyetjeve, Sako u tha demokratëve se do të merrnin përgjigjen e merituar në zgjedhjet e pjesshme vendore.
“Unë nuk kam më punë këtë komision sepse keni dalë tërësisht nga objekti”, tha Sako.
“Jeni komplet jashtë objektit të Komisionit Hetimor. Më 6 mars do të merrni përgjigje!”, tha Sako, duke shkaktuar reagimin e deputetëve demokratë. “Me këtë deklaratë e treguat se paratë ju duhen për fushatën zgjedhore”, iu përgjigj deputetja Ina Zhupa.
Seanca e dëshmisë së Sakos u shoqërua gjatë gjithë kohës me përplasje të forta mes demokratëve dhe socialistëve në komision. “Ju lutem, nuk është etike të lexosh përgjigjet në celular”, i tha Sakos kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku.
Zhupa e akuzoi Sakon se ka nënshkruar një kontratë me inceneratorin e Tiranës pa tender, duke rritur kështu kostot për administrimin e mbetjeve në qytetin e Durrësit. Sako tha se çdo marrëveshje është bërë në kushtet e emergjencës mjedisore dhe se Durrësi, si qytet turistik, ka më shumë detyrim për ta mbajtur të pastër.
Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, paralajmëroi një padi për Sakon për shkak të largimit të saj dhe refuzimit për t’iu përgjigjur pyetjeve.
“Një padi për zonjën Emirjana Sako për refuzimin për të dëshmuar në Komisionin Hetimor. Refuzimi për t dëshmuar përbën vepër penale. Jam përpjekur maksimalisht ta ruaj qetësinë edhe përballë sjelljes jo korrekte të zonjës”, tha Tabaku duke i kërkuar punonjësve të Kuvendit që të përgatisin kallëzimin për të.