Në një intervistë për BIRN të bërë gjatë vizitës së tij në Sarajevë, kryebashkiaku popullor i Stambollit, Ekrem Imamoglu, parashikon një fitore të opozitës në zgjedhjet e vitit 2023 kundër Erdoganit të Turqisë.
Nga Hamdi Fırat Buyuk – BIRN
Ekrem Imamoglu duke folur në darkën e Ramazanit të organizuar nga Bashkia e Stambollit në Sarajevë. Foto: BIRN.
Kryebashkiaku popullor i Stambollit, Ekrem Imamoglu, nga Partia Republikane Popullore, CHP, opozita kryesore e Turqisë, tha për BIRN gjatë vizitës së tij në Sarajevë se ditët e Rexhep Tajip Erdoganit janë të numëruara.
“Ne do të kemi zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm në Turqi dhe presidenti Erdogan do t’i humbasë zgjedhjet, ashtu siç humbi në Stamboll. Ata do të humbasin, por Turqia do të fitojë”, tha Imamoglu.
Duke komentuar politikën turke, Imamoglu tha se nisma e opozitës, e udhëhequr nga Partia e Republikane Popullore, CHP, për të krijuar një bllok të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme kundër aleancës politike të Erdoganit, është e një rëndësie të madhe.
Shumë vëzhgues thonë se Imamoglu është bërë një nga politikanët më të njohur në Turqi që nga fitimi i zgjedhjeve të Stambollit në vitin 2019 dhe do të ishte një rival serioz i Erdoganit në garën e ardhshme presidenciale.
Sipas sondazheve, Imamoglu do të mundte Erdoganin, popullariteti i të cilit ka rënë si pasojë e një sërë krizash politike dhe ndërkombëtare dhe kryesisht për shkak të krizës së rëndë ekonomike.
Ai është i kujdesshëm në lidhje me perspektivat e tij. “Partitë opozitare do të punojnë në mënyrë shumë selektive për të vendosur kandidatin më të mirë presidencial”, tha Imamoglu.
I pyetur nëse do ta pranonte kandidimin për president, Imamoglu nuk tha po – por i mbajti dyert hapur.
“Besoj se kur të vijë dita, gjashtë partitë opozitare do të bëjnë zgjedhjen më të mirë. Për momentin, këtë nuk e kam në axhendën time. Axhenda ime e vetme është Stambolli”, tha ai.
I shmangur në vizitën e tij të mëparshme
Kryebashkiaku po vizitonte kryeqytetin e Bosnjës të hënën si i ftuar i Komunës së Sarajevës. Vizita përfshiu një sërë takimesh dhe një darkë të madhe Ramazani, ku ishin më shumë se 200 njerëz, duke përfshirë politikanë, ambasadorë, akademikë dhe kryetarë bashkish nga Bosnja, por edhe nga Serbia dhe Mali i Zi. .
Në vitin 2019, Imamoglu u anashkalua nga liderët boshnjakë, të cilët druheshin se do të zemëronin qeverinë e presidentit Erdogan.
Në atë kohë, Imamoglu takoi vetëm disa zyrtarë boshnjakë, ndërsa ish-homologu i tij, Abdullah Skaka, nga partia kryesore boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, SDA, refuzoi ta takonte.
Megjithatë, të hënën, Imamoglu u prit me kënaqësi nga kryetarja aktuale e Sarajevës, Benjamina Karic, e cila u zgjodh vitin e kaluar pas humbjes së SDA-së në zgjedhjet lokale.
Pas takimit të tyre dhe një vizite të përbashkët në Qytetin e Vjetër të Sarajevës, Imamoglu tha në intervistën për BIRN se pas asaj vizite të parë zhgënjyese, ai ishte i emocionuar që ishte përsëri në Sarajevë.
“Nuk është e mundur të mos emocionohesh në Sarajevë. Stambolli dhe Sarajeva kanë shumë lidhje historike dhe ne kemi një mikpritëse të madhe këtu. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me kryetaren Benjamina Karic që nga zgjedhja e saj”, tha Imamoglu.
Imamoglu tha: “Karic është ndoshta kryetarja që takoj më shpesh”.
Në intervistën e tij me BIRN, në bashkinë historike të Sarajevës, Vijecnica, Imamoglu foli gjithashtu për politikën e jashtme, për lidhjet midis Turqisë dhe Ballkanit, por edhe për politikën turke, duke përfshirë kandidaturën e tij të mundshme në zgjedhjet presidenciale kundër Erdoganit, i cili ka drejtuar vendin për 20 vjet.
Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, “do ta humbin Turqinë ashtu siç humbën Stambollin”, këmbënguli Imamoglu, duke kujtuar fitoren e tij të vitit 2019 në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, si dhe qendra kulturore dhe ekonomike e vendit.
Stambolli si “vëllai i madh” i qyteteve ballkanase
Imamoglu nënvizoi rëndësinë e Bosnjës dhe rajonit të Ballkanit për Stambollin dhe Turqinë.
“Gjatë shekujve të 19-të dhe 20-të, miliona njerëz nga i gjithë Ballkani migruan në Turqi dhe kryesisht në Stamboll. Kështu që Stambolli ka shenja të të gjithë rajonit të Ballkanit. Pjesë të të gjitha vendeve të Ballkanit sot jetojnë në Stamboll”, tha Imamoglu.
Boshnjakët dhe myslimanët e tjerë të Ballkanit kanë migruar vazhdimisht në Turqi që nga rënia e Perandorisë Osmane dhe njerëzit me origjinë ballkanase janë tani një element kryesor përbërës i Stambollit, dhe një që thuhet se mbështeti Imamoglun në zgjedhjet lokale të 2019-ës.
Kushtetuta e Turqisë nuk lejon regjistrimin e përkatësisë etnike të qytetarëve të saj, por disa vlerësime sugjerojnë se 20-25 për qind e popullsisë prej 83 milionë banorësh e Turqisë ka rrënjë ballkanase.
Për Imamoglun, këto lidhje midis Stambollit dhe qyteteve të Ballkanit janë të domosdoshme.
“Stambolli ka qenë kryeqyteti i këtyre trojeve (rajonit të Ballkanit). Në këtë drejtim, marrëdhëniet tona janë shumë të forta. Në këtë epokë, kjo duhet të marrë një kuptim tjetër. Ka vende të reja dhe kryeqytete të reja në Ballkan, por Stambolli mbetet qendra e gravitetit në rajon”, tha Imamoglu.
Ai shtoi se Stambolli duhet të udhëheqë rajonin në shumë fusha, duke përfshirë paqen, demokracinë, qeverisjen e mirë, politikën e gjelbër dhe transformimin digjital.
“Në këtë drejtim, ne po ndërmarrim hapa të rëndësishëm. Si të thuash, kjo është një nismë për ta bërë Stambollin vëllanë e madh të qyteteve të tjera të Ballkanit”, tha ai, duke iu referuar projektit B40 të Bashkisë së Stambollit.
Projekti B40 synon të bashkojë kryetarët e shumë qyteteve të Ballkanit, duke përfshirë Stambollin, Sarajevën, Athinën, Beogradin dhe të tjerë, për të përmirësuar marrëdhëniet.
Takimi i parë i B40 u organizua në Stamboll në nëntorin e kaluar dhe takimet e radhës do të mbahen në Athinë dhe Sarajevë.
Gjatë vizitës së tij në Sarajevë, Imamoglu do të ketë një tjetër takim të B40 me pjesëmarrjen e qyteteve të Bosnjës, përfshirë Sarajevën, Laktasin, Tuzlën dhe Zenicën.
Duke udhëhequr një rrjet rajonal, Imamoglu tha se Turqia, e cila ka pasur shumë mosmarrëveshje me Perëndimin dhe fqinjët e saj nën udhëheqjen e Erdoganit, duhet të ndjekë një politikë të jashtme të bazuar te paqja dhe prosperiteti.
“Stambolli është shembulli më i mirë i traditës diplomatike. Ne duhet të kërkojmë paqen në Turqi dhe jashtë saj”, tha Imamoglu, duke iu referuar thënies së themeluesit të Turqisë moderne Mustafa Kemal Ataturk: “Paqe në shtëpi, paqe në botë”.
Imamoglu shtoi se Turqia duhet të jetë vetëm burimi i paqes, jo i ndonjë gjëje tjetër.
“Turqia është një nga vendet më të fuqishme në rajon dhe ajo këtë duhet ta mbështesë me marrëdhënie të mira fqinjësore, duke përmirësuar tregtinë, turizmin, kulturën dhe artin.”
“Turqia duhet të jetë më aktive, nëse ka një konflikt apo problem. Turqia duhet të jetë shembull për rajonin me gjithçka, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe ekonominë”, tha Imamoglu.
Ndryshe nga vizioni i politikës së jashtme të Imamoglut, Turqia ka pasur shumë konflikte me Perëndimin ndërsa është angazhuar në nëj përmirësim marrëdhëniesh me Rusinë në vitet e fundit.
Demokracia, sundimi i ligjit dhe liritë janë përkeqësuar nën sundimin e Erdoganit, ndërsa ekonomia po përballet me kohë të trazuara, me rënien e lirës turke dhe inflacionin e lartë.
“Kushdo që fiton Stambollin, fiton Turqinë”
“Stambolli është qyteti më i rëndësishëm në Turqi. Dyzet për qind e PBB-së së saj vjen nga Stambolli”, tha Imamoglu.
Por, sipas Imamoglu, të qenit kryetar i qytetit përfshin shumë vështirësi.
“Pasi fiton një qytet që i njëjti grup e ka drejtuar për 25 vjet, nuk është e lehtë për ta (Erdoganin dhe partinë e tij). Ata mendonin se gjithçka u përkiste atyre. Nuk ishte kështu”, vazhdoi Imamoglu.
Imamoglu fitoi zgjedhjet e Stambollit në vitin 2019 jo një herë, por dy herë, pasi rezultati i parë zgjedhor u anulua me një vendim të diskutueshëm gjyqësor.
Dhe, megjithëse Imamoglu është kryebashkiak i Stambollit, qyteti është ende pjesërisht i kontrolluar nga aleatët politikë të Erdoganit. Ministritë e qeverisë, guvernatori i qytetit dhe institucionet e tjera shtetërore përpiqen t’i bllokojnë politikat e tij.
“Kjo është një tronditje psikologjike për ta. Siç tha vetë presidenti: ‘Kushdo që fiton Stambollin, fiton Turqinë dhe kushdo që humb Stambollin, humb edhe Turqinë”, komentoi Imamoglu në lidhje me politikat armiqësore të qeverisë së Erdoganit.