Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Socialiste, ku përjashtonte mundësinë e një koalicioni me LSI-në. Sipas Kryemadhit vendimi për t’u shkëputur nga koalicioni me Ramën ka qenë më i miri që LSI-ja ka marrë ndonjëherë, ndërsa i përgjigjet se numri i të larguarve jashtë vendit ka qenë nga 2017 kur Rama mori pushtetin.
“LSI vazhdon të ngrihet nën përgjegjësinë e asaj force që i dha shqiptarëve liberalizimin e vizave në 2010, që Rama donte ta bllokonte. Ai thoshte mos i liberalizoni vizat se do ikin mbi 1 milion shqiptarë nga Shqipëria. Nuk ikën 1 milion shqiptarë dhe vetë grafiku në Asamble tregonte se në momentin e liberalizimit të vizave, kur në koalicion ishte LSI-ja, largimi ishte në numrin më të vogël por nga 2017 ku mori kazan, garuzhde e tepsi, rritja ishte në stratosferë më keq se në ‘92, dhe me vrap ia ndryshoi regjia grafikun dhe ia çuan te digjitalizimi i famshëm i tij.
Mospranimin e vazhdimit të koalicionit me sektin e Rilindjes e cilësoj si një nga vendimet për të mira, pasi ndan zullumin dhe llumin, ku Rama kishte futur shoqërinë shqiptare dhe PS-në. Falenderoj mbështetësit e LSI që i kanë kallur datën Ramës”.
Kryemadhi thekson se i gjithë fjalimi i Ramës i kushtohej LSI-së për shkak të frikës së humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, sepse socialistët e gjejnë veten te lSI-ja.
“I gjithë fjalimi i tij i kushtohej LSI-së dhe Monikës. Aq herë sa e ka përmendur emrin tim Rama, s’më ka thënë Meta të dua në kaq vite. Ramën e shoqëron frika e humbjes, sepse socialistët gjejnë veten te LSI. Ngjyra e PS-së është kthyer në mavi, socialistët janë kthyer në ushqim për hienat e oligarkëve dhe sektin e Rilindjes në një viktimë e uzurpimit dhe vlerave të PS-së
Urrejtja e Ramës ndaj PS-sënuk mund të shuhet, ajo ka filluar në 1992 kur kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të saj dhe varjen në litar të komunistëve që ishin pjesë e PS-së”.