Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zhvilloi një takim me gjimnazistë në Tiranë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kryemadhi theksoi se prioritet i LSI-së janë të rinjtë dhe punësimi i tyre është garancia e vetme për një Shqipëri që nuk plaket.
“Sot u takova me një grup gjimnazistësh nga shkollat ‘Qemal Stafa’ dhe ‘Sinan Tafaj’. E jashtëzakonshme energjia e tyre pozitive dhe dëshira për ta parë Shqipërinë si shtëpinë tonë të përbashkët.
Dështimi më i madh i kësaj qeverie është lënia e rinisë pas dore. Largimi i tyre nga vendi, vrasja e shpresës dhe ëndrrave të tyre është plaga më e madhe që politika e mbrapshtë i ka shkaktuar Shqipërisë.
Rinia është themeli i programit të LSI. Ne nuk do t’i zhgënjejmë të rinjtë. LSI do të dyfishojë buxhetin për arsimin.
Një rini e mirëarsimuar dhe punësimi i saj është garancia e vetme për një Shqipëri që nuk plaket!
Ne duhet ta bëjmë Shqipërinë shtëpi për rininë tonë”, shkruan Kryemadhi në Facebook.