Opozita jashtëparlamentare nuk do të ketë nesër një propozim në tryezën e grupit të punës për reformën elektorale.
Kryetarja e LSI tha pas takimit të thirrur nga Basha me aleatët se reforma elektorale duhet të përmbyllet sa më shpejt për t’u zbatuar te zgjedhjet e reja.
“Nesër është takimi i radhës për t’u përgatitur, për të ecur në punët që janë lënë në harresë, për ta zhvilluar dhe për ta mbyllur sa më shpejt. Ne jemi shumë të qartë dhe shumë të vendosur që Reforma Zgjedhore, që është kushti i parë nga 15 kushtet e BE, se besoj e keni marrë vesh që gjatë pandemisë iu shtuan edhe 6 kushte të tjera Shqipërisë, që duhet në mënyrë urgjente të mbarojë. Mbyllja e reformës çon vendin drejt një zgjidhje, zgjedhjeve të reja, sepse është kushti i dytë, pra miratimi dhe implementimi. Do të thotë që zgjedhjet e reja të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe të dalim nga kjo situatë varfërie dhe depresioni ekonomik që e ka kapur Shqipërinë”, deklaroi Kryemadhi.
Kryemadhi foli edhe për nismën e Ramës për legalizimin e kanabisit, duke e quajtur shashkën e radhës.
“Ky është një moment për të larguar vëmendjen nga varfëria që ka pllakosur shqiptarët, nëse ai mendon se varfëria e shqiptarëve mund të kalojë ndërmjet drogës, por ligji për të cilin z. Rama flet nuk është gjë tjetër, por veçse legalizim i grupeve kriminale, fuqizimin ekonomik të tyre dhe të varfërinë për ta vrarë, të mesmin për ta bërë të varfër dhe për të shkatërruar çdo ditë dhe më shumë ekonominë shqiptare dhe të ardhmen e shqiptarëve, legalizimi i kanabisit nuk është gjë tjetër veçse skandali i radhës dhe 1 nga shashkat e radhës që Edi Rama hedh sepse nuk do që njerëzit, mediat dhe gjithë qytetarët të diskutojnë për zgjidhjen e situatës ekonomike dhe të varfërisë së shqiptarëve sepse sot Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara për sigurinë ushqimore”, përfundoi Kryemadhi.