Monika Kryemadhi akuzoi Lulzim Bashën dhe mbështetësit e tij se kanë përdorur pozicionin politik për t’u vendosur gjoba bizneseve.
“Nuk mendoj që është garë, por kontributet duken, tek ajo që ngjit në opinionin publik. Të vetmen gjë që unë gjykoj te PD e rithemelimit, që për mua kanë qenë bashkëpunëtorë”, tha kryetarja e LSI në Debat nga Alba Alishani, në A2 CNN, e pyetur nëse partia e saj i ka prirë akuzave për inceneratorët.
“Politikisht të gjithë kemi folur, edhe mediatikisht. Problemi është kush merr përsipër për të vendosur firmën dhe për të bërë padi me fytyrën dhe emrin e tij. Është e thjeshtë të dalësh duke folur, për të vendosur një gjobë e pas tri ditësh të mbyllësh gojën. Tash, duket shumë qartë që selia e bravës ka qenë mjeshtre për të vendosur gjoba ndaj biznesit”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi akuzoi gjithashtu kryetaren e komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, se ka punuar për ta mbyllur çështjen. “Belind Këlliçi nuk u njoh kurrë me raportin e inceneratorëve, edhe pse ishte anëtar i komisionit. Sepse raporti i zonjës Tabaku ishte për t’i vënë kapak historisë së inceneratorëve e për ta lënë deri te Lefter Koka. Zonja Tabaku me sa duket ka marrë sëmundjen e ish-kryetarit të saj, ose kryetarit që e ka akoma, Lulzim Basha, duke gënjyer. Tabaku i ka çuar një letër zotit Vasili përmes Genc Gjonçajt. Ndërkohë që Vasili i ka çuar letër Bashës që LSI duhet të jetë pjesë e komisionit. Zonja Tabaku ka vendosur veton për mospranimin e LSI në komision. Kishte hall se mos LSI i merrte lidershipin e komisionit. Rama përballë Tabakut nuk e kishte problem, qëndroi edhe 10 orë…”, tha Kryemadhi.