Politika Kryemadhi përshëndet SPAK-un: Koha e “të fortëve”, kriminelëve me pushtet, ka mbaruar

Kryemadhi përshëndet SPAK-un: Koha e “të fortëve”, kriminelëve me pushtet, ka mbaruar

Edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka reaguar pas betimit te Presidenti Ilir Meta të 8 anëtarëve të SPAK-ut.

Në një postim në “Facebook”, Kryemadhi shkruan se tashmë koha e “të fortëve”, kriminelëve me pushtet apo të mbrojtur nga pushteti, ka mbaruar.

“Përshëndes krijimin e SPAK si një zhvillim i rëndësishëm i pritur prej kohësh i Reformës në Drejtësi.

Fillimi i aktivitetit të SPAK është moment shpresëdhënës se në Shqipëri do të nisë seriozisht puna për ndëshkimin e pandëshkueshmërisë dhe për sundimin e ligjit.

Ne besojmë që një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë do të veprojë i pandikuar nga presioni i çfarëdolloj dhe i pandikuar nga politika. Ngritja e Strukturës së Posaçme dhe Byrosë së Hetimit do sjellë një erë të re në garantimin e sigurisë juridike për qytetarët e thjeshtë dhe për barazinë përpara ligjit. Koha e “të fortëve”, kriminelëve me pushtet apo të mbrojtur nga pushteti, ka mbaruar. Me këtë rast përshëndes dhe angazhimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, për mbështetjen e vazhdueshme për krijimin e kësaj strukture kaq të rëndësishme për drejtësinë në Shqipëri dhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian”, thotë Kryemadhi.