Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion”, se vendi mund të shkojë në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme në fund të muajit Maj.
Monika Kryemadhi: Unë mendoj që PS po përgatitet për zgjedhje të parakohshme në fund të muajit Maj. Zgjedhjet lokale do t’i shtyjë për Shtator-Tetor. Asnjë kryebashkiak nuk do të pranonte të hynte në zgjedhje në këtë situatë.
Fevziu: Rama tha se do t’i fitojë të gjitha 61 bashkitë.
Monika Kryemadhi: Po shumë mirë, le t’i fitojë. Edhe Enver Hoxha i fitoi të gjitha…
Fevziu: Ju do të futeni në zgjedhje lokale?
Monika Kryemadhi: Unë mendoj se është shumë herët për të folur për të vetmen arsye se sot jemi në një ngërç të kapjes së institucionit të parlamentit.
Kryetarja e LSI-së tha se “Edi Rama nuk rrëzohet duke bërë protesta paqësore. Në po sensibilizojmë opinion publik”, ndërsa në krahun tjetër shtoi se opozita po menaxhon “në mënyrën më stoike urrejtjen e qytetarëve ndaj Ramës.”
Kryemadhi tha se është e gatshme të largohet nga politika nëse Kryeministri Rama është në gjendje të mbledhë po aq njerëz sa opozita mblodhi më 16 Shkurt.