Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka bërë projeksionin e saj pas mbylljes së procesit të votimit.
Ajo tha se opozita e bashkuar ka fituar 85 deri në 90 mandate, ndërsa LSI-ja ka 28-30 mandate.
“Numrat tregojnë një fitore të jashtëzakonshme të opozitës. Në projeksionet e LSI-së, ajo që dua të theksoj është se opozita e bashkuar ka nga 85-90 mandate. Forcë e parë është Partia Demokratike dhe LSI-ja them se ka 28-30 mandate”, deklaroi Kryemadhi.
“I bëj thirrje numëruesve të LSI-së dhe PD-së që të çojnë deri në fund procesin e numërimit, që të mos ketë asnjë çedim, qoftë edhe për një votë të vetme”, shtoi Kryemadhi.
Reagon Yuri Kim
Pas përfundimit të procesit të votimit ka reaguar edhe ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim. Në një postim në rrjetet sociale, ajo shkruan se autoritetet e zbatimit të ligjit kanë për detyrë të sigurojnë integritetin e votës, ndërsa politika duhet të pranojë gjykimin e votuesve kur të mbyllet procesi i numërimit.
“Votuesit në Shqipëri dolën me forcë të plotë për të shprehur vullnetin e tyre. Zgjedhjet dhe autoritetet e zbatimit të ligjit kanë për detyrë të sigurojnë integritetin e votës. Kandidatët dhe udhëheqësit, gjithashtu, kanë detyrën e tyre: të mos supozojnë rezultate, por të pranojnë gjykimin e votuesve kur përfundon numërimi”.
PS falenderon patronazhistët
Partia Socialiste ka reaguar pas mbylljes së qendrave të votimit, me anë të kandidates për deputete Bora Muzaqi.
“Shumë faleminderit gjithkujt që votoi. Ishte një manifestim qytetar, nga Tropoja në Konispol”, deklaroi ajo.
Muzaqi falënderoi edhe “të gjithë patronazhistët dhe koordinatorët, mirënjohje për punën e tuaj fantastike. Ky është momenti i numëruesve, që i takon tashmë një përgjegjësi shumë e lartë. Kjo që fillon tani është pjesë emocionuese e ndeshjes, ku të gjithë parashikimet, edhe kësaj radhë të larmishme, do t’i lejmë vendin rezultatin real”.
Muzaqi shtoi se “qytetarët provuan më së miri se shqiptarët dinë ta manifestojnë këtë të drejtë me dinjitet”.