Deputetja Monika Kryemadhi është shprehur në një postim në rrjetet sociale se përshëndet veprimet e SPAK për arrestimet për inceneratorit e Fierit.
Kryemadhi nënvizon se pak muaj më parë SPAK ka kërkuar masë arresti për Armando Subashin dhe më pas është frenuar.
“Por, drejtësia nuk duhet të veprojë me regji dhe favorizime klienteliste! Burime të besueshme tregojnë se para pak muajsh SPAK ka kërkuar masë arresti për Armando Subashin dhe është frenuar. I njëjti deformim po ndodh për hetimet e inceneratorit të Tiranës, për të shpëtuar Erion Veliajn dhe kokat e vërteta të aferës së inceneratorëve”, shkruan ajo.
Sipas Kryemadhit, SPAK duhet të godasë në shenjë për inceneratorët, mos të drejtohet sipas sulmeve që vijnë nga kongresi i partisë.
“Po monitorojmë çdo veprim të autoriteteve për inceneratorët dhe do të bëjmë çdo gjë që të korruptuarit e qeverisë të njohin ligjin, ndërsa paratë dhe pronat publike t’i kthehen shqiptarëve”, thekson ajo.
SPAK njoftoi mesditën e sotme se janë miratuar 11 masa sigurimi personale, nga të cilat 10 masa sigurie “arrest në burg” dhe një masë sigurie “arrest në shtëpi” për abuzimet me ndërtimin e inceneratorit të Fierit.