Udhëheqësit e BE-së kanë konfirmuar përfundimet e ministrave të jashtëm të BE-së për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Ky vendim zyrtarizon hapjen e negociatave.
Drejtuesit e vendeve anëtare të BE-së zhvilluan një videokonferencë të enjten në darkë, ku diskutuan për procesin e zgjerimit dhe krizën e koronavirusit.
Ata kanë miratuar dokumentin e dakordësuar më parë nga ministrat e jashtëm, më 25 mars, për zgjerimin. “Ne mbështesim përfundimet e Këshillit të Evropës të hartuara më 25 mars mbi procesin e zgjerimit të BE-së”, shkruhet në deklaratën e përbashkët të kryeministrave të vendeve anëtare.
Ndërsa për përballimin e krizës së koronavirusit ata vendosën:
Për eksportin e mjeteve dhe pajisjeve mbrojtëse ndaj koronavirusit do të merret leje pranë BE-së, dhe jo më tek vendet e veçanta.
140 milionë euro për 17 projekte kërkimore për koronavirusin, përfshirë edhe ato për gjetjen e vaksinës.
37 miliardë euro investime me qëllim adresimin e pasojave të krizës.
Bashkëpunim me industritë e vendeve të BE-së për të prodhuar më shumë pajisje dhe mjete mbrojtëse për stafin mjekësor.
Në zbatim të rekomandimit të OBSH, se kryerja e testeve është e rëndësishme, është urgjente marrja e masave për rritjen e kapaciteteve për kryerje e testeve.