Bota Kryeministri Conte: Nga lojtar amator në burrë shteti

Kryeministri Conte: Nga lojtar amator në burrë shteti

Para një viti e gjysmë ai ishte një profesor i panjohur juridiku. Tani ai është kthyer në një yll të politikës: Karriera e habitshme e Giuseppe Contes – bindëse, por pa bindje?

Në samitin e G7 në fund të gushtit në Biarritz profesori në fushën e drejtësisë Giuseppe Conte mendonte, se karriera e tij politike e nisur 15 muaj më parë do të mbyllej me kaq. “Unë nuk do të vij sërish” përgjigjej si nën zë Conte ndaj pyetjes përkatëse. Në Romë gëlonte kriza qeveritare ato ditë. Lëvizja “Pesë yjet”, me të cilën është i afërt Conte, pa qenë anëtar i saj, përpiqej me socialdemokratët të krijonte një koalicion qeverisës. Giuseppe Conte telefononte herë pas here me kryetarin e partisë socialdemokrate, Zingaretti dhe e bindte atë, se duhej ta provonte me atë si kryeministër.

Avokati të tërheq vëmendjen me mënyrën e tij të qetë dhe me argumenta parimorë. Edhe me presidentin italian, Sergio Mattarella ai ka një fill të mirë komunikimi. Italianët e duan 55-vjeҁarin me origjinë nga Pulja, i cili hyri tërthorazi në politikë. Sipas sondazheve, Conte gëzon një reputacion me 58 përqind duke u renditur në sondazhe i dyti pas Mattarellas si politikani më i preferuar. “Avokati i popullit” krahasuar me figurat kryesore të populistëve si Matteo Salvini (Lega) dhe Luigi Di Maio (Pesë Yjet) duket i arsyeshëm, i qetë dhe i pjekur, mendojnë komentatorët në Itali. Që nga qershori 2018 Conte ka qenë fytyra e qeverisë populiste, ku ai më shumë ishte noteri i qeverisë, e jo “presidenti i këshillit të ministrave”, që pjesërisht ndërmerrte nisma mjaft të diskutueshme politike nga të dyja partitë.

“Unë nuk jam marionetë”

Atë e përqeshnin si “zëvendës” të zëvendësve të tij, Salvini dhe Di Maio. Por në Parlamentin Europian në shkurt Giuseppe Conte u mbrojt: “Unë nuk jam marionetë. Unë përfaqësoj popullin tim”, kështu iu kundërvu ai kritikëve në Strasburg.

Betimi i qeverisë së re

Giuseppe Conte u emancipua vetëm pasi qeveria e tij e parë kishte dështuar. Në një fjalim që mbajti duke deklaruar dorëheqjen ai kritikoi ashpër ministrin e Brendshëm, Matteo Salvini, që ishte ulur pranë tij duke e akuzuar atë për “obsesion në politikën e migracionit”. Ai e akuzoi Salvinin si të papërgjegjshëm, sepse Italia e dobësuar ekonomikisht ka nevojë për një qeveri solide për ta ndryshuar këtë situatë – duke u zgjuar kësisoj disi me vonesë. E sikurse shkruan gazeta “Corriere della Sera” pas kësaj ndodhi mrekullia. Praktikisht avokati i urtë, Conte brenda pak ditësh krijoi një raport me kryetarin e socialdemokratëve, Nicola Zingaretti, duke e bindur atë për një koalicion me lëvizjen Pesë Yjet. Të dy zhvilluan formulën, që Conte përmbledhtas e shpjegon: “Unë do të garantoj, që Pesë Yjet dhe socialdemokratët nuk janë vetëm një shumë e pjesëve të tyre, por një lidhje, një sintezë, një koalicion i vërtetë.”

Conte dhe presidenti Matarella kanë një marrëdhënie të mirë

Kthesë e lehtë

Pa ngurruar, papritur Conte nga një politikë më shumë radikale e djathtë kaloi në kahun e aleancës së majtë. Themeluesi i Pesë Yjeve, humoristi Beppe Grillo, i dha bekimin kësaj nisme të re në një blogg të tij. Koalicioni i ri do të jetë “një qeveri pa politikanë”, shkruan Beppe Grillo. Avokati Conte e interpreton këtë ironi të Grillos, se kështu vetëm ai, “Jo politikani”, do të bëhet garanci për një fazë të re në politikën italiane. Qysh në muajt e fundit, euroskeptiku Conte i tërhoqi deklaratat e tij të mëparshme. Në bisedat me Komisionin e BE-së, kancelaren Merkel dhe presidentin Macron, Conte ia doli që të pengojë procesin e deficitit kundër Italisë me borxhe të mëdha. Ai deklaroi, se “projekti më i rëndësishëm i qeverisë së ardhshme do të jetë buxheti i vitit 2020″, që do ta kthejë Italinë në shtegun e rritjes ekonomike, do të hapë vende pune e do të sjellë investime.”

Sa i përket politikës së jashtme mbetet i paqartë drejtimi që do të ndjekë qeveria “Conte II”, sidoqoftë ai do të jetë fleksibël.

Bernd Riegert/DW