Bota Kryeministri kroat kritikon ashpër presidentin: Kosova nuk u aneksua, është shtet i...

Kryeministri kroat kritikon ashpër presidentin: Kosova nuk u aneksua, është shtet i pavarur

Kosova ndez debatin dhe përplasjet politike në Kroaci. Kryeministri Andrej Plenkoviç kritikoi ashpër presidentin e vendit, Zoran Milanoviç, për deklaratën që tronditi perëndimorët dhe që u bë lajm kryesor në mediat serbe dhe ruse.

“Asnjë shtet nuk e ka aneksuar Kosovën. Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur nga Kroacia. Po të ishte aneksuar, këtë do ta bënte një shtet. Është e rëndësishme që Kosova të jetë e pavarur, që ne të kemi marrëdhënie diplomatike me të”, deklaroi kryeministri kroat.

Plenkoviç shtoi më tej se presidenti nuk e di konceptin e të drejtës ndërkombëtare për aneksimet.

Ky reagim erdhi pasi Milanoviç tha se Kroacia bashkë me perëndimin aneksuan Kosovën dhe ia rrëmbyen atë Serbisë. Ai u shpreh kështu duke komentuar me zemëratë të madhe dërgimin e tankeve perëndimore për në Ukrainë, ku përmendi edhe frikën që nënvlerësimi i Rusisë si fuqi bërthamore mund të sjellë shkatërrim për të gjithë dhe një luftë të tretë botërore.

Presidenti kroat theksoi se nuk po kërkon të vendosë në dyshim pavarësinë e Kosovës, por se këtë po e bën për të nxjerrë në pah nga ku ka nisur dëshira e Rusisë për aneksimet e saj në Ukrainë.

Megjithatë, deklarata e Milanoviç është raportuar ndjeshëm nga mediat ruse dhe ato serbe si një qëndrim që legjitimon pretendimet e shtetit serb lidhur me mosnjohjen e Kosovës.