Çështja e mosdekretimit të Gent Cakajt si ministër të Jashtëm nga ana e presidentit, duket se nuk do të kalojë lehtësisht për mazhorancën.
Edhe pse kryeministri Edi Rama ka marrë sot zyrtarisht detyrën si ministër i Jashtëm, nuk e ka lënë pas krahëve refuzimin e ish-aleatit të tij të dikurshëm.
Në një prononcim për mediat jashtë sallës së Kuvendit, Rama tha se çështja e refuzimit të dekreteve nga Kreu i Shtetit ka shtyrë PS që t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese dhe për këtë janë përgatitur një sërë padish që pritet të dorëzohen së shpejti.
“U detyrova të marr ketë vendim se projekti i qeverisë re nuk duhet të cenohet. Kemi përgatitur padi. Do të ketë një numër padish në Gjykatën Kushtetuese për Presidentin e Republikës, i cili ka marrë përsipër të punojë në kundërshtim me traditën e asaj zyre. Askush nuk e ka bërë këtë më parë”, tha Rama.
Sipas Ramës, “kjo është një çështje që duhet zgjidhur qartë dhe përfundimisht, në kushtet kur presidenti ka marrë përsipër të veprojë në kundërshtim me traditën e asaj zyre dhe me të gjithë paraardhësit, pavarësisht se kanë qenë të një pale apo një pale tjetër. Askush nuk e ka bërë këtë më pare”.
Mosdekretimi i Cakajt në këtë post, krijoi një krisje të re mes institucionit të Kryeministrisë dhe Presidencës.
Kreu i shtetit e argumentoi këtë refuzim me mungesën e përvojës së Cakajt për këtë post, ndërsa kreu i qeverisë në kushtet e një kabineti që mbeti pa ministër të Jashtëm, propozoi emrin e tij për drejtimin e institucionit, duke marrë pas pak ditësh dekretimin e Metës.
Ndërkohë, më herët, me 77 vota Kuvendi votoi edhe dekretin e Presidentit, për shkarkimin e Ditmir Bushatit nga ky post.