Aktualitet Kryenin vjedhje me armë në Itali, në pranga tre dibranë

Kryenin vjedhje me armë në Itali, në pranga tre dibranë

Në sajë të operacionit ndërkombëtar “Korabi”, Policia e Dibrës ka goditur një grup që kryente vjedhje me armë në Itali.
Policia bën me dije se janë vënë në pranga dy shtetas dhe në të njëjtën kohë është kapur në Itali, nga Policia Italiane edhe pjesëtarja e tretë e grupit, një shtetase nga Dibra.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit B. GJ., 38 vjeç, dhe Q. A. (M), 32 vjeç, lindur dhe banues në Dibër.
Gjithashtu, në Fiano Romano/Itali, u bë arrestimi i shtetases shqiptare H. R., 49 vjeç, lindur dhe banuese në Dibër.
Siç njofton policia, shtetasit në fjalë ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Rieto/Itali me vendimin e datës 25.06.2019, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura”, parashikuar nga Kodi Penal Italian. Për këto vepra penale, maksimumi i dënimit është 20 vjet burg.
Ngjarja:
Më 4 maj të këtij viti, në zonën Fiano Romano/Itali, shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur nëpërmjet përdorimit të armëve në banesën e shtetasit italian A. L., një sasi bizhuterish dhe shumën 60.000 euro, që ndodheshin në kasafortën e këtij shtetasi dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të vjedhur.
Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin drejt Italisë të dy shtetasve të kapur dhe arrestuar nga Policia e Dibrës.