Papa Françesku pranoi të enjten dorëheqjen e kryepeshkopit të Parisit, i cili në mënyrë të papritur pranoi një marrëdhënie “të paqartë” me një grua në vitin 2012.
Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit tha në një deklaratë se ai ofroi të largohej “për të ruajtur dioqezën nga ndarja që po provokojnë dyshimi dhe humbja e besimit“.
Vatikani deklaroi se Papa pranoi ofertën e Aupetit dhe emëroi Imzot Georges Pontier që të shërbente përkohësisht në vendin e tij në pritje të emërimit nga Papa për një kryepeshkop të ri të përhershëm.
Mediat franceze kanë vënë në dukje gjithashtu problemet e supozuara të qeverisjes në kryepeshkopatë, të cilat mund të kenë qenë gjithashtu një arsye themelore pas vendimit të shpejtë të Françeskut për të hequr Aupetit.
Dorëheqja vjen mes trazirave të mëdha në Kishën Katolike Franceze. Një raport në tetor vlerësoi se rreth 3 mijë priftërinj francezë kishin abuzuar seksualisht gjatë 70 viteve të fundit. Vitin e kaluar, Papa pranoi dorëheqjen e kardinalit katolik francez Philippe Barbarin në lidhje me mbulimin e abuzimit seksual të dhjetëra djemve nga një prift grabitqar.