Nga Vlora, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela komentoi arrestimin e Henri Çilit duke thënë se këto janë frytet e një prokurorie të pavarur dhe jashtë çdo ndikimi.
Çela u shpreh se puna e prokurorisë vjen dhe si pasojë e reformës në drejtësi.
“Kjo është puna e prokurorisë dhe frytet e prokurorisë së pavarur, zbatimi i ligjit, reforma në drejtësi. Këto janë rezultatet”, deklaroi shkurtimisht kryeprokurori Çela nga Vlora, ku mori pjesë në analizën vjetore të KLSH.
Henri Çili u arrestua në orët e para të mëngjesit me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila prej muajsh e hetonte atë dhe 11 persona të tjerë për ushtrim të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarët.
Burime nga Prokuroria e Gjirokastrës kanë pohuar se Çili ka rezultuar i implikuar në përgjime duke ndikuar te një gjyqtar me qëllim lirimin e dy vëllezërve Aliko nga Lazarati, të dënuar për vrasjen e ish-efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.