Aktualitet Si u përgjua Henri Çili: 750 mijë euro për lirimin e vëllezërve...

Si u përgjua Henri Çili: 750 mijë euro për lirimin e vëllezërve Aliko

Policia arrestoi sot një numër të madh personazh me akuzën e ndikimit të paligjshëm në Sistemin e Drejtësisë, mes të cilëve ishin edhe botuesi Henri Çili si edhe biznesmeni i njohur Seit Fishta. Çili u arrestua bashke me avokatin e tij Ilir Korbi dhe pasi u mbajt disa orë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe më pas është dërguar në Gjirokastër.

Sipas dosjes hetimore të zbardhur nga Abc News, hetimi ka zgjatur nga shtatori 2019 deri në shkurt 2020. Fillimisht hetimi ka nisur ndaj një grupi kriminal, i cili merrej me trafikun e armëve dhe drogës.

Gjatë përgjimeve, është konstatuar një telefonatë mes Gazmir Ajdinajt, i cili rezulton të jetë vëllai i bashkëjetueses së Henri Çilit dhe Adil Alikos nga Lazarati, i cili rezulton të jetë babai i Arbion dhe Alban Alikos, të dënuar respektivisht me burgim të përjetshëm dhe 18 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s gjatë operacionit kundër kultivimit të drogës në Lazarat.

Në dosjen hetimore rezulton se gjatë telefonatave të përgjuara, babai i vëllezërve Aliko i ka kërkuar ndihmë për lirimin e djemve duke theksuar se i kërkonin 1 milion euro.

Gazmir Ajdinaj merr përsipër që ta ndihmojë dhe ndërmjetëson një takim të Adil Alikos me Henri Çilin.

Në dosje theksohet se takimi është kryer në 7 dhjetor 2019 në Tiranë.

Biseda është përgjuar dhe filmuar nga prokurorët. Gjatë kësaj bisede, mësohet se shuma e cila do të përdorej për lirimin e vëllezërve Aliko do të zbriste nga 1 milion euro në 750 mijë euro, ku një pjesë do të jepej cash dhe pjesa tjetër me prona.

Sipas dosjes hetimore, rezulton se në 10 janar 2020, Henri Çili i ka dhënë një prokurë për të vepruar në emrin e tij, bashkëpunëtorit Betim Shkupi për marrjen e dy pronave në formë dhurimi nga shoqëria “Fishta sh.p.k” në Velipojë.

Pas këtij dhurimi, Henri Çili komunikon me Gazmir Ajdinajn dhe i thotë se gjithçka ka shkuar për mrekulli dhe se meritonte një shpërblim.

Prokuroria ka konstatuar se më datë 3 shkurt 2020, Henri Çili ka komunikuar me Drejtoreshën e Kadastrës së Shkodrës duke i kërkuar që të veprojë me shpejtësi për regjistrimin e pronave.

“Kjo shtetase, pasi i premton se do të veprojë shpejt, i kërkon që të dërgojë dokumentet”, shkruhet në dosje.

Disa ditë më vonë, prokuroria konstaton se Henri Çilit i janë dorëzuar edhe 30 000 euro për të ndikuar në vendimin për Alikot. Prokuroria ka kapur edhe një rast tjetër të tentativës për të ndikuar mbi vendimin që do të jepej për Feti Yzeirajn, i dënuar me burgim të përjetshëm. Jazo Liko është përgjuar duke mbledhur 1 000 000 lekë nga familjarët e Yzeirajt me qëllim dorëzimin tek Gazmir Ajdinajt për llogari të Henri Çilit.

Shuma prej 1 000 000 lekë nuk u dorëzua pasi Lazo Liko u arrestua në momentin që do të dorëzonte paratë.

Pas marrjes së pronave dhe parave, sipas prokurorisë, Henri Çili ka zhvilluar një takim më datë 14 janar 2020 me një drejtues të lartë të Sistemit të Drejtësisë në një hotel në Tiranë.

Edhe ky takim është përgjuar.

Nga përgjimet është konstatuar se Henri Çili i kërkon zyrtarit të lartë që të zgjidhë çështjen e vëllezërve Aliko dhe Yzeirajt sa më parë dhe ai i siguron se ata (Alikot) do të jenë në 50 dosjet e para që do të shqyrtohen.

Disa ditë më vonë arrestohet pikërisht Gazmir Ajdinaj teksa policia i kapi dy kallëpe tritol në makinë.

Arrestimi erdhi pasi prokuroria ka përgjuar një telefonatë mes Arbion Alikos nga burgu i Burrelit dhe Gazmir Ajdinajt për një sasi tritoli.

Në 23 shkurt 2020, Ajdinaj shkon në Gjirokastër dhe mori disa sende nga Adil dhe Amarildo Aliko. Policia ndaloi makinën e tij në Tepelenë duke i gjetur aty dy kallëpe tritol si edhe fitil zjarrpërcjellës. Operacioni i djeshëm është faza e dytë arrestimeve të bëra ndaj grupit ku bënte pjesë edhe Ajdinaj.

Burimi: Abc News