Menjëherë pas ardhjes së Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe largimit të disa prej drejtuesve të njohur si mbështetës të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, një pjesë e dosjeve të mbetura pezull ndër vite u riaktivizuan, raporton Vizion Plus.
Kështu në Elbasan, hetimi që u denoncua nga prokurorja Amanda Xhaferri se ishte vjedhur nga ish-kreu i prokurorisë Dritan Gina përfundoi në gjykatë.
Në dosjen e skemës mashtruese përfunduan në gjykatë administratori i kompanisë “Kurum”, drejtori i blerjeve, si dhe vetë kompania turke për një dëm prej 1.5 milionë dollarëve ndaj shtetit.
Por mes dosjeve të denoncuara prej saj, se i ishin marrë pa të drejtë nga ish-kreu i prokurorisë, ishin dhe abuzimet në segmentin Elbasan-Gjinar ndërsa në Tiranë kallëzimi i KLSH-së ishte bërë për autostradën Tiranë–Elbasan.
Menjëherë pas kësaj më 1 shkurt të këtij viti erdhën dhe fletëarrestet e para.
Dy ish-drejtorët e Përgjithshëm të Rrugëve Dashamir Xhika e Andi Toma ranë në pranga për abuzime në ndërtimin e rrugës Elbasan-Gjinar.
Bashkë me dy ish-zyrtarët e lartë u ndaluan edhe 4 ish funksionarë për të cilët gjykata dha masën e arrestit shtëpiak.
Gjashtë persona të tjerë u shpallën në kërkim ndërsa prokuroria paralajmëroi se do të ketë edhe arrestime të tjera për këtë çështje e cila ndodhej në skedarët e saj që prej prillit të vitit 2017.
Por ditën që dy ish zyrtarëve iu komunikua masa në Gjykatën e Elbasanit, Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi dy fletëarreste të tjera për ta.
Kësaj here shpërdorimi i detyrës bënte fjalë për autostradën Tiranë-Elbasan.
Në pranga ranë dhe ish- drejtorët e menaxhimit të projektit Aksel Qorduka dhe Albens Alite.
Në verifikim veç të arrestuarve është dhe ish-ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto.
Ai pritet të shpjegojë pozicionin e tij në atë që prokuroria e ka përllogaritur si një dëm prej 80 milionë dollarësh ndaj shtetit.
Prokuroritë e Durrësit dhe Kavajës ndërkohë kanë përfunduar hetimet për dy dosje të abuzimit me tokat ndërsa në pranga kanë përfunduar në total 10 persona ish zyrtarë të hipotekave apo dhe ish kryetarë komunash, të cilët kishin përvetësuar tokë ranore në Gjirin e Lalzit dhe në Spille të Kavajës.
Një tjetër dosje e madhe, e cila u rikthye për hetim është dhe ajo e CEZ-DIA.
Në kohën e Adriatik Llallës akuzat u pushuan dhe dosja u mbyll, por në dhjetor gjykata vendosi rihapjen e saj.
Deri më tani në pyetje janë marrë djali i ish-kryeministrit Shkëlzen Berisha dhe ish-ministri i Energjetikës Genc Ruli, ndërsa dëmi ndaj shtetit përllogaritet në 414 milionë euro.