Nga Ben Blushi
Në pedonalen kryesore të Belshit, ndodhet një bust i Sami Frashërit që e hedh hijen cdo pasdite mbi liqen. Sami Frashëri mund të meritonte një bust në cdo qytet të Shqipërisë, por lidhja e tij me Belshin ka një histori të cuditshme, të cilën Sami Frashëri, derisa vdiq, nuk e ka ditur.
Para se të tregoj historinë, duhet të them se Sami Frashëri nuk ka qenë asnjëherë në Belsh. Ai jetoi në Turqi, dhe sa ishte i vogël, vështirë se ka parë shumë zona të Shqipërisë, vec Përmetit ku lindi dhe Janinës ku bëri shkollën.
Kur shkroi librin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet”, Sami Frashëri krijoi një qytet imagjinar i cili duhet të ishte kryeqyteti i Shqipërisë. Sipas tij, ky qytet duhet të kishte tre cilësi : e para të fliste shqip, e dyta, të ishte i ri, pra të ndërtohej nga e para dhe e treta, të ndodhej në mesin e Shqipërisë. Kryqytetit imagjinar ai i vuri emrin Skënderbegas, për nder të Skënderbeut dhe në librin e tij, emrin Belsh nuk e përmendi fare, sepse ndoshta nuk e njihte.
Por, meqë Sami Frashëri propozoi që Kryeqyteti duhet të ishte në mes të Shqipërisë, në Belsh kanë besuar se ai e kishte fjalën për ta. Dhe prandaj i kanë ngritur një bust para të cilit parakalojnë cdo ditë belshakët dhe turistët që nuk e dinë pse ai bust ndodhet aty.
Megjithëse duket sikur lidhja e Sami Frashërit me Belshin është ngritur mbi një keqkuptim, nuk dua të them se belshakët e kanë patur gabim kur i ngritën atij një bust. Ata bënë shumë mirë sepse me këtë rast rritën vetëbesimin e njerëzve të një province të vogël, duke krijuar një histori të bukur e cila, edhe pse bazohet mbi një lapsus gjeografik, sërish është e bukur. Nëse e ve gishtin mbi hartën e Shqipërisë dhe kërkon mesin e artë, me siguri gishti do të zhytet në një nga 85 liqenet e mrekullueshme të Belshit, të cilët Sami Frashëri fatkeqësisht nuk i pa kurrë.
Por a mund mund të ishte Belshi kryeqytet i Shqipërisë?
Si një njeri që ka lindur dhe është rritur në Tiranë, besoj se kushdo që e ka menduar këtë mundësi nuk e ka patur keq.
Historia e Shqipërisë ndoshta do ishte ndryshe, nëse Belshi do kishte qenë kryeqytet i vendit. Unë them se do ishte pak më e butë nisur nga karakteristkat e Belshit si një qytet i qetë dhe ato të Tiranës si një qytet i egër.
Duke nisur nga emri.
Dyshimet se emri Tiranë, vjen nga Teheran do kishin rënë ose do ishin të shurdhëta, nëse Tirana nuk do ishte bërë kryqytet. Dhe meqë jemi të krahasimi i emrave, imagjinoni sikur kryeqyteti i Shqipërisë të quhej Belsh. Duket si Belle,pra një qytet i bukur që në emër.
Ndryshe nga Belshi që duket sikur vjen nga fjala bukuri, Tirana e ka fjalën tirani në rrënjën e vet. Dhe ky qytet ka nxjerrë shumë tiranë. Bejlerët e Tiranës kanë qenë të gjithë tiranë të egër, gjakatërë mizorë që vrisnin dhe dhunonin. Vetëm betejat feudale mes toptanëve dhe bargjinëve, që kanë derdhur kaq shumë gjak në themelet e pallatave ku jetojmë, duhet të ishin të mjaftueshme që Tirana të mos ishte zgjedhur kryeqytet. Por atëherë ishin kohë të tjera dhe kriteret mbi të cilat përzgjidheshin kryeqytetet nuk ishin ato të Sami Frashërit.
Edhe një herë kur Tirana mund të shpëtonte nga grindjet e shumta mes fiseve të Krujës dhe të Tiranës, fati nuk ishte me të. Kahamahmut Bushatlliu erdhi nga Shkodra ta pushtonte Tiranën nga vitet 1700, por në kohën që bëhej gati të sulmonte dhe kishte ngritur cadrat, diku në Laprakë,aty ku është Spitali Ushtarak, një mizë e mallkuar i hyri në vesh dhe ai vdiq i lebetitur nga tortura dhe zhurmat në kokë. Në atë kohë mjekët dinin të nxirrnin shpatat nga trupat, por nuk dinin të nxrirrnin mizat nga veshët. Sikur kjo mizë e mallkuar që hyri në veshin e gabuar të kishte ngordhur nga ndonjë aksident, pra nga ndonjë përplasje me ndonjë pemë, Tirana do kishte patur një fat tjetër. Do ishte qeverisur nga shkodranët dhe jo nga krutanët e tmerrshëm sic ndodhi për nja dyqind vjet.
Por le të kthehemi te Belshi.
Jo vetëm nga emri, Belshi e tejkalon Tiranën në shumë cilësi. Aty është më thatë, dimri është më i ngrohtë dhe lagështia e Tiranës e cila na futet deri në kockë, mungon. Në Belsh qielli është më blu, aty bije më pak shi dhe romantikët e Tiranës që shkruajnë poezi me re të ngrysura, do e kishin jetën më të varfër. Ndoshta do ishin bërë peshkatarë, që është një zanat që i mungon shumë Tiranës, e cila ka vetëm një liqen artificial me peshk shumë të keq, që nuk haet.
Ndërsa Belshi ka 85 liqene fantastikë, shumica e të cilëve të mbushur me zambakë me peshq të bindur dhe zogj të urtë, që kalojnë mbi ujë si mbi një pasqyrë të pastër sinqeriteti. Liqenet që janë pasuria më e madhe e Belshit, mund të shërbenin si një kurë natyrale për qytetarët e kryeqytetit që zakonisht bëhen depresivë nga trafiku, nga zhurma dhe nga mungesa e natyrës.
Imagjinoni sikur ata që kanë lindur në Tiranë dhe thonë jam nga Ali Demi, jam nga Kombinati, jam nga Kinostudio, nga Tirana e Re, nga Zogu i Zi, nga Treni, nga Sauku, nga Selvija, nga Pazari i Ri apo nga Vasil Shanto të thoshin jam nga liqeni i Sami Frashërit, apo nga liqeni Fan Noli,nga liqeni Migjeni, nga liqeni Vangjush Mio, nga liqeni Vace Zela,nga liqeni Frida Kalo, nga liqeni Charlie Chaplin, nga liqeni Coco Channel, apo nga liqeni Da Vinci, apo nga liqeni Viktor Hygo apo nga liqeni Napoleon Bonaparti ose nga liqeni Rita Ora.
Kryeqyteti do organizohej sipas liqeneve, përreth të cilave do ishin lagjet, zyrat, shkollat, universitetet, kinematë, dyqanet,tregjet dhe shëtitoret apo bulevardet.Nëse kryeqyteti do kishte fat të drejtohej nga një njeri me sqimë ai ndoshta do ti ndante 85 liqenet sipas funksioneve. Liqeni i administratës, liqeni i tregtisë, liqeni i artit, liqeni i sportit, liqeni i bixhuterive, liqeni i hoteleve, liqeni i rrobave, liqeni i mishit,liqeni i bulmetit, liqeni i elektronikës, liqeni digjital, liqeni i kinemasë, liqeni i teatrit, liqeni i luftës, liqeni i bixhozit, liqeni i të pasurve, liqeni i të papuënve, liqeni i ambasadave, liqeni i burgjeve,liqeni i ushtrisë, liqeni i pleqve,liqeni i zonjave,liqeni i rusëve,liqeni i kinezevë,liqeni i amerikanëve, liqeni i të vdekurve,etj.
Për ata që nuk e njohin, Belshi është në mes të Elbasanit, Tiranës dhe Beratit. Nga aty shkohet në Korcë për 2 orë dhe në Vlorë për një orë e gjysëm. Në Durrës shkohet për 45 minuta. Nëse Belshi do ishte kryeqytet, Elbasani do ishte punishtja e tij ose më saktë hekurishtja e tij, Lushnja do ishte ara e tij, Kavaja do ishte bregdeti, Cërriku do ishte aeroporti, Peqini do ishte koteci,Korca do ishte mali i tij dhe Berati do ishte muzeu i tij. Gramshi do ishte hidrocentrali ndërsa Liqeni i Pogradecit do shërbente si një frigorifer për pensionistët në verë. Gjithë ata njerëz që vijnë nga juglindja do kishin shpëtuar nga ferri shekullor i Krrabës për të shkuar në Tiranë e cila do ishte xhungla e tij e fshehur pas murit gjigand të Krrabës.
Meqë shumë gjëra do ishin ndryshe dhe unë nuk do ta kisha bërë shkollën e mesme tek gjimnazi Sami Frashëri i Tiranës, por tek gjimnazi Sami Frashëri i Belshit dhe në vend që ta kisha shtëpinë te Ministria e Jashtme, mund ta kisha patur te liqeni Charlie Chaplin dhe me pak fat mund të isha bërë rregjisor, ose tek liqeni Napoleon Bonaparti dhe me shumë gjasë do isha bërë ushtarak.
Megjithatë ku i dihet. Belshi është një qytet i duruar dhe natyra e tij karstike është mësuar të presë me shekuj.
Ndoshta shumë kohë më vonë, atëherë kur Tirana të tejmbushet dhe kodrat përreth të mos kenë më vend, Belshi mund të jetë Kryeqyteti rezervë i Shqipërisë. Kodrat e bukura dhe të rrumbullakëta të Belshit janë mikëpritëse dhe njëkohësisht armiqësore ndaj pallateve. Në dunat e tyre të buta mund të ngriheshin vila të ulëta dhe godina shërbimi të cilat nuk do lejoheshin të kalonin mbi lartësinë e kodrave.
Atëherë nga ultësira e Belshit, njerëzit do flisnin për Tiranën si për një qytet metalik nga i cili kanë ikur sepse aty nuk kishte më vend për zogj dhe farat e luleve nuk kishin ku të mbinin.
Çfarë ngushëllimi do ishin liqenet e Belshit, për shumë njerëz në Tiranë që sa herë dalin pasdite në ballkonet e tyre, janë të detyruar të shohin ndeshjet e futbollit që burrat e djersitur ndjekin në ballkonet përballë. Ata mund të mendonin për Belshin, kryeqytetin imagjinar, duke fjetur rehat, në vapën përvëluese të Tiranës. Në dremitje e sipër, duke ëndërruar për Belshin, do bindeshin se Tirana është një qytet madhështor, i vetëmjaftueshëm dhe pa komplekse që të jep mundësi të mendosh për ta zëvendësuar.