Opozita Kryesia e PD propozon shkarkimin e Edi Palokës dhe të tjerëve që...

Kryesia e PD propozon shkarkimin e Edi Palokës dhe të tjerëve që ishin në Kuvendin e Berishës

Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike të thirrur nga Lulzim Basha është propozuar shkarkimi i Edi Palokës nga posti i Kryetarit të Këshillit Kombëtar.

Kryesia do të kërkojë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, që pritet të mbahet të dielën, shkarkimin edhe të anëtarëve të Kryesisë të atyre që nuk e njohin datën 18 Dhjetor për mbajtjen e Kuvendit.

Në Këshillin Kombëtar pritet që të propozohet edhe një rezolutë e posaçme për situatën e krijuar në PD.

Po ashtu, listës së kryetarëve të shkarkuar i shtohet edhe kryetari i degës së PD në Kuçovë.

Në mbledhjen e Kryesisë së PD-së që vazhdon prej orës 18:00 Lulzim Basha kërkoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të dielën. Sipas burimeve nga brenda selisë blu, Basha mësohet se është shprehur që në “tubimin e sotëm pas shpalljes non grata të zotit Berisha ka indicie për shkelje të ligjit, falsifikim i vulës, logos”.

Ndërkohë, Edi Paloka në një reagim në rrjetet sociale u bëri thirrje anëtarëve të tjerë të Këshillit Kombëtar që të mos bëhen pjesë e lojës së atyre që sipas tij për karrige janë gati të shkelmojnë interesat e demokratëve.

Ditën e sotme, Kuvendi Kombëtar i thërritur nga Berisha vendosi shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha dhe ngritjen e një Komisioni për Rithemelimin. Po ashtu u shkarkuan edhe nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryesia.

Pas këtij vendimi, Lulzim Basha mblodhi Kryesinë në selinë e PD dhe shkarkoi fillimisht 11 kryetarë të degëve të cilët kanë mbështetur Sali Berishën gjatë foltoreve dhe morën pjesë në Kuvendin që u zhvillua këtë të shtunë.