Ku do të jetë e ardhmja e Lionel Messi, kjo është pyetja që po i mundon të gjithës pas kërkesës që i ka bërë ylli argjentinas, klubit të tij Barcelona për t’u larguar pas plot 20 vitesh ku ka mbajtur veshur ngjyrat blaugrana. Me Messin që synon të largohet falas në bazë të një klauzole që ekziston në kontratën e tij dhe Barcelonën që do të bëjë çmos për të mos e lejuar pasi synon të përfitojë miliona nga shitja e tij, klubet që mund t’ia lejojnë vetes të firmosin me 6-herë fituesin e Topit të Artë janë disa.
MANCHESTER CITY
Messi dhe “qytetarët” sapo kanë ndarë të njëjtin fat në Ligën e Kampionëve, me eliminimin në çerekfinale. Kjo do të thotë se të punojë përsëri me Pep Guardiolën, përbën një stimul të madh për argjentinasin, i cili me trajnerin spanjoll dha më të mirën sa i përket shënimit dhe kthesës taktike. Për këtë arsye, ribashkimi mes të dyve nuk është aspak e përjashtuar si mundësi. Madje, për momentin, “Blues” shfaqen në “pole position”.
PSG
Thashethemet e pakontrolluara të këtyre orëve vendosin edhe emrin e PSG pranë atij të Messit. Parizienët nuk do të ishin të rinj për “hitet” e jashtëzakonshme në merkato dhe Messi, i lidhur fort me Neymar dhe Di Maria nga një miqësi e fortë, mund të ishte i dyti në seri, pas “tërmetit” 222 milionë eurosh të brazilianit më 2017.
INTERI
Zikaltrit në gjurmët e Messit, gjë për të cilën flitet prej disa kohësh. Një zhurmë e nxitur nga blerja e një shtëpie në Milano prej lojtarit dhe babait të tij, Jorge, vetëm disa hapa larg nga selia e Interit. Për më tepër, ulja e taksave për ata që vijnë nga jashtë mund të rezultojë vendimtare në zgjedhjen e gjashtë herë fituesit të “Topit të Artë”, i cili në Spanjë shpesh është dashur të merret me tekat e autoriteteve tatimore. Pa harruar raportet e mira me Javier Zanetti, marrëdhëniet e ngushta me të.
MANCHESTER UNITED
Në klubet me mundësi financiare, për t’ia paguar pagën e majme yllit argjentinas, përfshihet edhe Manchester United. “Djajtë e Kuq”, në kuadrin e riorganizimit dhe ambicieve për t’u kthyer përsëri në majë, mund të bëjnë një sforco financiare për futbollistin ë të mirë në glob. Do të ishte një vlerë e madhe e shtuar sportive në “Old Trafford”, por edhe financiare, nëse kemi parasysh marektingun që mund të bëhet me një emër të tillë.
INTER MIAMI
Klubi i David Beckham tashmë ka blerë Blaise Matuidi, por nuk duket se dëshiron të ndalet në fushatën përforcuese. Sidoqoftë, është e qartë se shkuarja e Messit në MLS në moshën 33-vjeçare është thuajse e pamundur. Ai ka shumë për të dhënë në futbollin europian, të paktën për momentin.
NEWELL’S OLD BOYS
Ky është opsioni më romantik nga të gjithë, rikthimi i Messit në skuadrën që e lançoi në atdheun e tij, ku luajti nga viti 1995 deri më 2000. Kuqezinjtë e Rosarios e dinë mirë që të bindësh djalin plangprishës për t’u rikthyer do të jetë praktikisht e pamundur.
BARCELONA
Pavarësisht se situata e momentit është tejet e nderë, duhet të merret në konsideratë mundësia e qëndrimit të tij te Barcelona. Me klubin katalanas, Messi është i lidhur me një kontratë të vlefshme deri në vitin 2021. Ai do të dëshironte ta përfundonte këtu kontratën, por klauzola e lirimit ka skaduar. Megjithëse ndarja duket e plotë, hipoteza e qëndrimit nuk është zhdukur ende plotësisht, veçanërisht nëse presidenti Bartomeu do të largohej nga klubi.