Do të tregojë gjithçka në një intervistë Cristiano Ronaldo, do të zbulojë muaj dyshimesh dhe gënjeshtrash që ka lexuar dhe e kanë trishtuar. Në Instagram iu përgjigj një postimi ku flitej për një kalim të tijin te Atletico e Madridit duke shkruar: “Brenda pak javësh do të mësohet e vërteta, do të jap një intervistë“, ndërsa më pas shtoi, “mediat po gënjejnë, kam një koleksion lajmesh në shtëpi, nga 100 të dala vetëm 5 janë të vërteta“.
Ndërkohë e sigurt është se e ardhmja e tij është ende e paqartë, dhe madje nuk kanë munguar edhe lajmet e reja. Të fundit kanë të bëjnë me faktin se alternativat për një skuadër të re për Ronaldon janë reduktuar në dy: Sportingu i Lisbonës dhe Borussia Dortmund. Një lajm që ka bërë që të rriten edhe kuotat e gjermanëve në Bursë, ku vlera e aksioneve të klubit të Bundesligës vijojnë të rriten, duke regjistruar një +2.3% në mëngjesin e kësaj të mërkure.
Sëmundja e Sebastian Haller, një tumor malinj që pas operacionit duhet ta kurojë me kimioterapi, do të detyrojë Dortmundin të kërkojë një zëvendësues, çka ka bërë që zërat për një transferim të Ronaldos të bëhen më të fortë. Angazhimi i tij do të rriste edhe shitjet e fanellave të Borussias, si dhe aksionet, por gjithsesi kostot e këtij operacioni janë jashtë strukturës së pagave të Dortmundit.
Ronaldo te United fiton 29 milionë në vit. Shtypi spanjoll këmbëngul gjithsesi se ka pasur kontakte dhe bisedimet janë në vazhdim. CR7 ja ka dalë të bindë Manchester United për të marrë në konsideratë largimin e tij, duke i vënë si kusht agjentit Mendes, mundësinë për të luajtur sërish në Champions.
Nëse nuk ja del ta bëjë me Borusian e Dortmundi opsioni tjetër mbetet kthimi në shtëpi, te Sportingu i Lisbonës, aty ku ka filluar karrierën. Edhe në këtë rast nevojitet një reduktim drastik i pagës, teksa me rikthimin te Sportingu do të plotësonte edhe dëshirën e nënës së tij.