Aktualitet OST: Procedura 130 mijë euro është për aksidentet dhe dëmtimet e punonjësve...

OST: Procedura 130 mijë euro është për aksidentet dhe dëmtimet e punonjësve në punë dhe jo për kozmetikë estetike

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka reaguar ndaj akuzave të ngritura ditët e fundit.

Përmes një deklarate për mediat, OST sqaron se tenderi i hapur ka si objekt sigurimin e punonjësve të këtij institucioni në rast aksidentesh dhe dëmtimesh gjatë punës, dhe jo për kozmetikë estetike, ashtu sikundër është spekuluar ditët e fundit.

Deklarata e plotë e OST:

Procedura 130 mijë euro është për aksidentet dhe dëmtimet e punonjësve në punë dhe jo për kozmetikë estetike

Nisur nga spekulimet disinformuese të ditëve të fundit, mbi një procedurë tenderimi të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sqarojmë opinionin publik se:

OST ka hapur një tender me vlerë mbi 130 mijë euro, me objekt sigurimin e jetës dhe shëndetit për punonjësit e mirëmbajtjes së linjave dhe punonjëseve femra.

Kontrata parashikon që punonjësit e OST, të cilët si pjesë e administratës shtetërore janë të mbuluar nga sigurimi shëndetësor, pra shërbimi në spitalet publike, në rast nevoje ta përfitojnë këtë shërbim edhe në spitalet private.

Procedura parashikon mbulimin financiar të këtyre shërbimeve nga të ardhurat e OST sha., në vlerën 13.290.728 lekë pa TVSH.

OST do të lidhë kontratë me operatorin ekonomik, që do të fitojë tenderin për grupe të përbëra nga më shumë se 5 persona, të cilët janë përfitues të këtyre shërbimeve.

Polica e sigurimit mbulon që nga aksidentet me humbje jete deri te sëmundjet, paaftësitë e përhershme apo të përkohshme, sëmundjet, shtatzënitë dhe trajtimin ditor në spitale.

Kjo masë sigurimi kryhet në kushtet e një profili pune me vështirësi në terren dhe rrezik për humbjen e jetës në raste ekstreme, për punonjësit e OST.

Një pikë e veçantë e kontratës është ajo që parashikon trajtimin kozmetik të punonjësve.

Kontrata parashikon si të tillë “çdo trajtim mjekësor që kryhet vetëm për të ndryshuar pamjen e jashtme dhe jo me qëllim trajtimi dhe shërimi të një gjendjeje shëndetësore”. Pra, punonjësit që e përfitojnë këtë shërbim do të kenë mundësi të korrigjojnë dëmtimet estetike në pamjen e jashtme që mund të vijnë si rezultat i punës në terren.

Kompania e sigurimit që do të fitojë tenderin duhet të jetë e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Nisur nga sa më lart, OST i konsideron një abuzim të turpshëm politik këto deklarime dhe siguron opinionin publik, se nuk ka asnjë shpenzim fondesh për kozmetikë estetike. Gjithçka është kryer konform ligjeve në fuqi në kujdes të jetës dhe shëndetit të punonjësve tanë.

Kujtojme që punonjësit e OST përballen me sfida fizike të vazhdueshme dhe përkujdesja për punonjësit nuk mund të konsiderohet kurrë abuzim.