Udhëheqësi taleban Mullah Omar, një prej personave më të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara kishte jetuar për vite me radhë në afërsi të një baze amerikane në jug të Afganistanit.
Të paktën kështu pretendohet në një libër të ri, të publikuar së fundi.
Libri me titull “Jeta e fshehtë e Mullah Omarit”, i gazetares holandeze Bette Dam, tregon se kreu i rrezikshëm nuk është fshehur kurrë në Pakistan, siç besonin zyrtarët amerikanë, por për një periudhë kohe ka jetuar vetëm 3 milje larg bazës amerikane në provincën e Zabulit, që ishte edhe vendlindja e tij.
Dam kaloi 5 vite duke studiuar dhe intervistuar militantë talebanë në përpjekjet e saj për të realizuar një biografi të Mullahut famëkeq. Talebanët kanë qenë në pushtet në Afganistan nga viti 1996 deri në 2001-shin, kur u përmbysën pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara.
Mbi kokën e Mohammad Omarit ishte vendosur një shpërblim prej 10 milionë dollarësh, pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA. Ai vdiq nga një sëmundje më 23 prill të vitit 2013 dhe u varros pa arkëmort në një varr të pashënuar.