Edhe pse policia dhe prokuroria kanë zbërthyer thuajse të gjithë personat e përfshirë në sulmin brenda aeroportit të Rinasit, ende nuk ka asnjë gjurmë nga miliona eurot e grabitura.
Vizion Plus mëson se trajektorja që ka përshkruar mjeti ku ndodheshin autorët bashkë me monedhat, është fiksuar deri në digën e rezervuarit të Tapizës.
Menjëherë pasi kryen grabitjen, autorët u larguan nga pista e Rinasit me furgonin me targa AA 248 KE. Por pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, ky furgon u braktis në afërsi të Urës së Tupit në pamundësi për tu djegur, ku u gjend i vrarë edhe organizatori Admir Murataj.
Më pas, kamerat e sigurisë së një servisi kanë zbuluar se furgoni i dytë me të cilin u lëvizën paratë, ishte tip Benz me ngjyrë të bardhë, dhe me dy targa të ndryshme. Në pjesën e parë AA 082 AB dhe në pjesën e pasme AB 066 JC.
Rezulton se pikërisht ky furgon ka dalë në aksin Fushë Krujë-Tapizë, e pasi ka ecur në këtë drejtim, autorët janë kthyer majtas në një rrugë rurale.
Më pas, itinerari që kanë ndjekur autorët kanë qenë varrezat në anën e sipërme të fshatit, e duke vijuar në rrugën që kalon në fundin e digës së rezervuarit të Tapizës.
Por, pavarësisht kontrolleve të shumta të zhvilluara përgjatë 3 javëve, hetuesit nuk kanë mundur të gjejnë asgjë.
Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në 6, e disa të tjerë janë shpallur në kërkim, mes të cilëve edhe dy vëllezërit Klement e Eldi Çala.
I fundit që u prangos dhe pritet të njihet me masën e sigurisë ishte 50-vjeçari i cilësuari si “daja” nga Kosova, Ragip Hajdini.
Ndonëse Hajdini nuk ka pranuar të flasë para oficerëve, prokuroria ka dyshime se ai ka bashkëpunuar në grabitje, duke siguruar në Kosovë furgonin tip Shevrolet me ngjyrë jeshile, para se ai të modifikohej në atë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.