Opinione Ku jeni, pse fshiheni o gangsterët shqiptarë?

Ku jeni, pse fshiheni o gangsterët shqiptarë?

Nga Bledi Mane – Public Enemy

1./

-Po iki, i psherëtiu nata në vesh mëngjesit dhe u tret e gjitha. Dita ia bëri me sy diellit, mali u zgjua nga rrezet e para, pemët çliruan oksigjenin e freskët dhe gjithë qyteti thithi brenda mushkërive aromën e stinës. Për herë të parë pas kaq shumë dekadash në Tiranë dëgjohet kënga e zogjve. Nuk ka uturima dhe borie makinash, nuk zhurmon as mileti dhe qyteti nuk po i beson dot vetes së tij. Thagma e virusit ka strukur cilindo brenda shtëpisë ndërsa rrugët, sheshet, lagjet po rigjenerohen nga mungesa e frymorëve.

2./

E keni vënë re? Shqipëria ka 5 ditë pa vjedhje e plagosje, pa aksidente e pa vrasje, pa krisma kallashi e pa gjak që skuq rrugët. Nuk dëgjon më as xhirime gomash, as makina që nuk i binden të kuqes së semaforit. Rrugët janë pastruar nga fuoristradat e qerosëve zëtrashë, qerosët janë strukur si skuthë, hajdutët kanë kyçur veten brenda kasafortave të panikut, vrasësit kanë mbuluar kokën nga thagma e horrorit, armët po ndryshken nga mospërdorimi. Oh sa i pastër e sa i qetë duket qyteti, natyra ka marrë frenat në dorë ndërsa pranvera, stina e sapoardhur shoqëron e mbron për në punët e tyre infermieren, policin, shitësen e marketit, gruan që gatuan bukët, doktorin, gazetarin. Qyteti nuk është më në dorën e politikës dhe të krimit, qyteti iu është rikthyer atyre që e meritojnë, atyte që po luftojnë me të keqen.

3./

Ndërkohë që virusi dhe doktori nxitojnë kush të mbërrijë më parë te mushkëritë e pacientit, krimineli rri strukur në shtëpinë e tij fshehur pas gruas, motrës, plakës dhe nuk guxon të kapërcejë as pragun të blejë bukën e përditshme. Krimineli, hajduti, gangsteri e ndjen dhe e di tashmë shumë mirë se lajmet gënjejnë. Lajmet si gjithmonë nuk tregojnë të vërtetën. Në gjithë këtë pandemi mynxyrë më të rrezikuarit nuk janë pensionistët, më të rrezikuarit janë kriminelët edhe nga Coronacirusi edhe nga mëkati.

4/

Ku jeni, pas nuk shfaqeni përsëri o trimat e Shqipërisë?

Pse fshiheni o tribuja ballkanase, o raca e pastër arjane pse nuk vini më vërdallë nëpër Bllok?

Ku jeni strukur o bablokë që trafikoni femra dhe drogë, ju që dhunoni më të dobëtin, ju që kërcënoni policin, doktorin, profesorin?

Ju që në vitin e mbrapshtë 1997 mbuluat fytyrën me maska dhe grabitët e vratë pa limit, nëse keni bythë vendosini përsëri maskat dhe dilni luftoni virusin.

Eh mor arnautasit bythëpambuk koha juaj mbaroi, trimëria juaj nuk ka më vlerë. Trima nuk jeni ju që ua merrni jetën njerëzve duke i vrarë natën e më pas fshiheni, trima janë ato gra e ata burra që po shpëtojnë jetë dhe mbeten përsëri modestë. Ata mjekë e infermierë janë heronj të vërtetë, ata që nuk xhirojnë gomat e makinave rrugëve, nuk trashin zërin kërcënueshëm, nuk mbajnë pistoleta në brez. Ata janë të fortët e këtij vendi, ata që ecin rrugëve pa frikë e kokëulur jo nga trimëria por nga modestia!