Ekonomi “Kush luan me çmimet e ushqimeve e të barnave, do humbasë përfundimisht...

“Kush luan me çmimet e ushqimeve e të barnave, do humbasë përfundimisht të drejtën të tregtojë”

“Kush do të luajë të zgjuarin me çmimet e ushqimeve dhe të barnave mund ta humbasë përfundimisht të drejtën të tregtojë ushqime e barna, e me radhë”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Kryeministri tha se masat do të përshkallëzohen bashkë me ndëshkimet.

Rama tha po ashtu se “kush do të kapet në qarkullim në thyerje të rregullores së emergjencës mund ta humbasë patentën dhe të ndalohet për disa vjet për t’u futur në kurs për ta rimarrë”.

Kryeministri tha se “ka një sërë sanksionesh të reja që po përgatiten për të ndaluar dezertorët e mundshëm të cilët në vijim mund ta humbasin luftën e nervave dhe të kujtojnë gabimisht se mund t’ia hedhin po të shkelin rregullat”.

“Në asnjë mënyrë jo. Por le të mos flasim në këtë moment për masat e mëtejshme dhe sanksionet që do t’i shoqërojnë medoemos dhe le t’i gëzohemi për momentin, manifestimit fantastik të solidaritetit ku po marrin pjesë të veçuar nga njëri-tjetri si kurrë më parë dhe të bashkuar në një qëllim si kurrë më parë me njëri-tjetrin pa asnjë dallim fare. Mos harroni këshillat, lani duart, hapni dritaret, merruni me fëmijët, kujdesuni për më të moshuarit dhe armatosuni deri në dhëmbë me durim, durim dhe vetëm durim”, tha Rama.