Shqipëria, përtej bukurive të shumta natyrore e ujore në raport me sipërfaqen e vogël dhe pasurive të tjera të shumta në naftë, minerale e kështu më rradhë, vazhdon të jetë zyrtarisht më i varfër në Europë.
Sipas të dhënave të Eurostat, të ardhurat e shqiptarëve janë mesatarisht sa rreth 31% e mesatares europiane. Të ardhura këto më të vogla edhe se ato të Bosnje Hercegovinës, që ka hasur në të shkuarën probleme shumë më të mëdha se të Shqipërisë, përfshi luftë dhe konfliktet etnike.
Përqindja ka mbetur pothuajse e pandryshuar në krahasim me një dekadë më parë, çfarë tregon se Shqipëria nuk ka përparuar në përputhje me të ashtuquajturin proces të konvergjencës.
Sipas kësaj teorie, shtetet më të varfra rriten më shpejt në mënyrë që të arrijnë brenda disa dekadash mesataren europiane të zhvillimit. (Vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare thonë se për vendet e Ballkanit mund të duhen nga 60 deri në 200 vjet).
Treguesi më i qartë i varfërisë së vendit janë të ardhurat nga puna. Paga mesatare në Shqipëri, prej rreth 50 mijë lekësh (gati 400 euro) është më e ulëta nga të gjitha vendet e rajonit. Më e larta është në Mal të Zi (765 euro), Serbi (644 euro), Maqedoni (591) dhe Kosovë, e parafundit (528 euro).
Edhe në punët në shtet ato janë më të ultat në rajon. Në shëndetësi, mjekët e infermierët shqiptarë paguhen mesatarisht 50-80% më pak se ekuivalentët e tyre në rajon (425 euro paga mesatare në shëndetësi, kundrejt 820 euro në Mal të Zi). Për këtë arsye, Shqipëria po përballet dhe me një hemorragji të mjekëve e infermierëve (krahas qindra të tjerëve të profesioneve të ndryshme), duke krijuar një handikap në ofrimin e këtij shërbimi jetësor te popullata.
Paradoksal është fakti se rritja ekonomike në dekadën e fundit nuk ka mungoar, por ajo nuk ka qenë e qëndrueshme dhe nuk ka ndikuar në rritjen e pagave dhe mirëqenies së popullit. Rasti më i freskët është ai i vitit të kaluar, kur gati gjysma e rritjes prej 4% (më e larta e dekadës së fundit) erdhi nga një zhvillim rastësor, që lidhej me reshjet e bollshme të shiut, që nxitën shitjen e energjisë jashtë, një veprim që statistikisht konsiderohej i gjithi si vlerë e shtuar në matjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo ndihmë nga qielli u shua shpejt dhe në pjesën e parë të këtij viti, rritja u përgjysmua në rreth 2%.
Në një situatë të tillë, shqetësimi i parë i çdo qeverie do të ishte një analizë dhe plan veprimi për të nxitur zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë, nxitje të eksporteve, rritje të produktivitetit e vlerës së shtuar, si elementi parësor për të përmirësuar mirëqenien e popullatës. Por, ajo që vihet re, është krejt e kundërta. Ka një mani të shtetit më të varfër të Europës (si për të ardhurat e banorëve të saj ashtu dhe të buxhetit) për t’u përqendruar në disa projekte në dukje madhështore, por që brenda janë krejt boshe, në kuptimin e asaj që do t’i sjellin ekonomisë në afatin e gjatë.
Për pak kilometra rrugë në Milot-Balldren po shpenzohen 300 milionë euro (thuhet se do të jetë një rrugë që ne nuk e kemi parë kurrë, e standardit A. Po çfarë vlere do t’i sjellë ekonomisë kjo, kur rrugë më të leverdishme nga pikëpamja e fizibilitetit janë në gjendje të mjeruar?!). Pas zellit për të ndërtuar një teatër të ri, “fshihet” mania për të ndërtuar gjashtë kulla aty rrotull.
Një mani kjo që po bëhet e dukshme dy vitet e fundit, duke mundësuar kanalizimin e të paktën 400 milionë eurove në vit në ndërtime në kryeqytet (sipas të dhënave nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë), shumica e tyre në qendër, në projekte që shënjestrojnë “të pasurit” e Shqipërisë, ata që sipas shifrave zyrtare nuk ekzistojnë, për të justifikuar një marrëzi të tillë pas ndërtimit.
Është normale që bizneset do të rendin pas parasë, teksa qëllimi i parë i tyre është maksimizimi i fitimit. Por shteti ekziston, në radhë të parë, për të maksimizuar mirëqenien e qytetarëve të tij, gjë që nuk po shohim ta bëjnë. Përkundrazi, kjo “marrëzia e madhështisë” rrezikon të kthehet në mallkimin e të gjithë atyre (që ende nuk kanë ikur), që ende kanë shpresë se ky vend i begatë një ditë do t’i shpërblejë qytetarët e tij për atë që ata vërtet e meritojnë!
Burimi: Monitor