Opinione Ku do shkojnë paratë e pista?

Ku do shkojnë paratë e pista?

“Qarkullojnë më shumë se 2 miliard euro para të pista. Pra ekziston rrisku që këto para mund të përdoren për të blerë deputetë”!

Kjo është deklarata që Ambasadori i OSBE në Tiranë Bernd Borchardt ka bërë dje në emisionin “Tonight Ilva Tare”.

Nuk ka asnjë dyshim që deklarata e diplomatit, i cili ka qenë edhe ambasador i RFGJ – së në Tiranë është më e rënda që këto kohë është artikuluar nga komuniteti ndërkombëtar për situatën në Shqipëri. Eshtë më e rënda sepse përpara çdo emergjence, ajo që vjen nga fuqizimi i krimit dhe përfshirja e tij në politikë është padyshim me më shumë kosto për vendin. Madje me një kosto jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen e afërt dhe të largët të tij.

Pak kohë më parë, shërbimet sekrete italiane kishin infiltruar në media lajmin se fitimi neto nga tregu i kultivimit të Hashashit në vend, është midis 160 – 200 milion Euro në vit. Nëse llogarit edhe shpenzimet që shkojnë për mbjelljen, kultivimin, tharjen, transportin dhe gjithë paratë që paguhen nën dorë për të mundësuar këtë, xhiroja që japin shërbimet italiane është e afërt me atë që jep edhe Ambasadori i OSBE.

Po ç’do të thotë një shifër e tillë për Shqipërinë? Një xhiro prej 2 miliard eurosh është pak a shumë dyfishi i investimeve vjetore që Shteti shqiptar bën me buxhet. Ajo është afro 1/3 e gjithë buxhetit vjetor të shtetit shqiptar. Nëse mafia dhe krimi investojnë dyfishin e investimeve të buxhetit të shtetit, nëse përfitimi nga tregu ilegal i narkotikëve është afo 1/3 e vetë buxhetit, atëherë vendi ndodhet në një gjendje alarmi. Këto para të pista që janë dyfishi i atyre që shteti investon në rrugë, shkolla, spitale, punë publike dhe çdo gjë tjetër nuk ka asnjë dyshim se diku do të investohen. Ato nuk mund të qëndrojnë vetëm nën dyshekë apo në kasaforta të fshehura në shtëpitë e mafiozëve. Përpara se sa të investohen në tregun e ndërtimit, investimeve dhe të tjera, ku kanë qenë investuar gjithnjë, ato do të investohen ashtu siç paralajmëron me alarm Ambasadori Borchardt në politikë.

Do investohen për të dërguar në parlament deputetë që më shumë se sa avokatë të qytetarëve do jenë avokatë të kriminelëve, kultivuesve të hashashit, keqbërësve dhe gjithë atyre që shkeljen e ligjit e kanë stil jetese.

Do të investohen për të inicuar ligje dhe nisma të tjera që do shkojnë në favor të tyre; që do shërbejnë për të lehtësuar ndëshkimin e keqbërësve dhe për të legalizuar paratë e tyre.

Do shkojnë për të blerë ose për t’i bërë shantazh drejtësisë dhe për të forcuar pandëshkueshmërinë.

Ky mund të jetë vetëm fillimi sepse paratë e krimit shkojnë më pas për të rrënuar investime dhe biznese të ndershme dhe për t’i zëvendësuar ato me investimet e parave të pista. E bëjnë këtë duke prishur konkurrencën e lirë dhe të ndershme, e bëjnë këtë përmes shantazhit apo përmes lobimit politik që e financojnë po vetë.

Ideja që qarkullon, aty këtu, se këto para shëndoshin ekonominë e dobët dhe se në fund të fundit ndikojnë në një lloj mirëqënie ekonomike në vend është më shumë se sa mjerane. Asnjë vend nuk është mbështetur dhe ngritur mbi paratë e krimit; asnjë vend nuk ka parë prosperitet nga paratë e pista, krejt e kundërta. Sa më i vogël të jetë qarkullimi i këtyre parave në treg; sa më të kontrolluara të jenë financat e një vendi aq më i shëndetshëm dhe i stabilizuar është ai vend. Historia ka dëshmuar se tentativa për të ndërtuar perandori droge brenda një shteti ka prodhuar dhunë, vrasje, pastabilitet dhe rrënim ekonomik të atij vendi. Ne jemi ende në prag të alarmit, por nëse sot mbyllim veshët edhe përpara deklaratave që vijnë nga perëndimi, nesër do jetë e pamundur të gjejmë një zgjidhje. Veç asaj që na ngelet, nënshtrimit ndaj krimit.