Bandat e ndryshme që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar, mes të cilave edhe ato shqiptare, kanë zonat e tyre të influencës.
Kështu shkruan gazeta prestigjioze britanike “The Sun”, në një artikull që mban titullin “Rrugët e Turpit”, për shkak të pranisë së theksuar të kriminalitetit.
Sa i takon grupit shqiptar Hellbanianz, ai vepron në bllokun e kullave të kompanisë “Gascoigne”, në zonën Barking, në lindje të Londrës.
Sipas gazetës, që e shoqëron artikullin me foto, banda ballkanase preferon makinat e shpejta tip “Bentley” dhe mburret për përdorimin e kallashnikovëve.
Duke iu referuar fotove, të postuara nga vetë bandat në rrjetet sociale, “The Sun” shkruan se grupi kriminal është i armatosur deri në dhëmbë.
“Lartë në bllokun e kullave “Gascoigne”, në Barking, gangsterët shqiptarë janë në prag të marrjes nën kontroll të tregtisë së kokainës në Mbretërinë e Bashkuar, me vlerë 5 miliardë paund”, vijon gazeta.
Ajo shton se edhe pse shëtisin me “Rolls Royce” dhe “Bentley”, Hellbanianz janë ushtarë rruge, që shërbejnë si krahu i armatosur i mafies shqiptare.
Krahas drogës, grupet shqiptare kryejnë edhe grabitje të armatosura në Londër dhe thuhet se takohen në pabin “Kings Lounge”.
Qyteti i ndaluar
Sipas “The Sun”, mafia shqiptare po dominonin edhe tregun e kokainës në Mançester. Bandat e drogës janë kudo në Mbretërinë e Bashkuar, por jo në një qytet. Sipas “The Sun”, bosët lokalë iu kanë thënë atyre që të qëndrojnë larg Liverpulit.
Një burim që ka kërkuar të mos i përmendet emri i ka treguar “The Sun”: ‘Bandat shqiptare janë kudo në Mbretërinë e Bashkuar, por jo në Liverpul. Bandat lokale mbrojnë Liverpulin dhe do nuk ti lënë ata të hyjnë aty. Ata janë paralajmëruar”.
“Gjeografikisht ata janë të fuqishëm në veri dhe në lindje të Londrës. Pas Londrës, janë të fuqishëm edhe në Mançester”.
Megjithatë një ish-shpërndarës droge nga Liverpul thotë se është vetëm një çështje kohe përpara se shqiptarët të bëjnë lëvizjen e tyre për qytetin port.