Aktualitet Të vendosura prej dy vitesh në sheshe e rrugë kryesore/ Kamerat në...

Të vendosura prej dy vitesh në sheshe e rrugë kryesore/ Kamerat në Shkodër të dy grupeve kriminale

Policia e Shkodrës zbuloi një rast të paprecedentë të aktivitetit të grupeve kriminale që operojnë në këtë qytet. 21 kamera ishin vendosur nga bandat nëpër shtylla elektrike në rrugë të ndryshme, për të mbledhur informacion për qëllime kriminale. Kamerat kishin si synim që të monitoronin edhe lëvizjet e strukturave të policisë, sipas Policisë së Shkodrës.

Vendosja e 21 kamerave të sigurisë në hyrje-daljet e lagjeve Kiras dhe Dobraç i ka çuar hetuesit drejt dyshimit se ato i kishin në përdorim dy grupe kriminale që veprojnë në Shkodër. Megjithatë deri më tani, asnjë emër personi i dyshuar nuk është identifikuar nga hetuesit.

Disa prej kamerave, sipas verifikimeve, rezulton funksionin prej dy vitesh dhe i jepnin akses këtyre personave në kontrollin e territorit për qëllime kriminale, por edhe vëzhgimin e lëvizjeve të Policisë.

Sakaq Policia po kontrollon edhe për kamera të tjera pasi beson se nuk janë të vetmet.  Dyshohet se janë vendosur edhe në lagjet  që kontrollohen nga dy grupet kriminale.

Nga 21 kamerat e sekuestruara deri më tani,  8 ishin  të instaluara në vende dhe sheshe publike, në aksin rrugor nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë e VIGUT” deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës. Ndërsa 13 të tjera të instaluara në aksin rrugor nga rrethrrotullimi “5 Heronjtë” deri te rrethrrotullimi i Dobraçit.

Vendosja e kamerave për të monitoruar hapësirat publike rregullohet me ligj të posaçëm dhe sipas këtij ligji, Policia është organi kompetent që jep lejet dhe certifikatat e sigurisë për subjektet private dhe publike.

Teksa Ministria e Brendshme dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale krijojnë një regjistër me të gjitha kamerat e lejuara në territor./Tv Klan