23 gola në gjashtë ndeshjet e Champions League, teksa sigurojnë kualifikimin në raundin tjetër Liverpool dhe Ajax. Ekipi i Jurgen Klopp mposhti 2-0 Atletico Madrid në “Anfield”, duke u hakmarrë për eliminimin në sezonin e kaluar.
Diogo Jota dhe Sadio Mane shënuan golat e fitores në pjesën e parë, ndërsa “Colchoneros” luajtën me një lojtar më pak pas daljes me të kuq të Felipe (36’).
Vendi i parë me pikë të plota në grupin B për Liverpool, që është një nga skuadrat favorite për triumfin final. Ajax fitoi 1-3 me përmbysje në “Signal Iduna Park” ndaj Dortmundit, ekip që e mposhti për herë të dytë radhazi.
Hummels “tradhtoi” verdhezinjtë pas gjysmë ore lojë, duke u larguar me karton të kuq. Vendasit gjetën forca dhe kaluan në avantazh falë një penalltie të saktë të kapitenit Reus, por “Harkëtarët” holandezë shënuan tri herë në fraksionin e dytë të ndeshjes dhe festuan kalimin në raundin tjetër.
Triumf jetik për Interin në Moldavi. Kampionët e Italisë thyen 1-3 Sherifin. Pjesa e parë u mbyll ashtu si nisi, ndërsa në 45 minutat e dyta erdhën golat e Marcelo Brozovic, Milan Skriniar dhe Alexis Sanchez.
Vendi i dytë me 7 pikë për zikaltrit e Simone Inzaghit në grupin D, aty ku gjithçka do të zgjidhet në javën e fundit. Fitore e rëndësishme edhe për Manchester City.
Djemtë e Pep Guardiolës triumfuan 4-1 në shtëpi ndaj belgëve të Club Brugge. Golat për vendasit u shënuan nga phil Foden, Riyad Mahrez, Raheem Sterling dhe Gabriel Jesus.
Barazim spektakolar në Gjermani midis Leipzig dhe PSG. Takimi përfundoi 2-2, Gigio Donnarumma priti një penallti, holandezi Wijnaldum realizoi dy herë, por vendasit evituan humbjen falë golave të Nkunku dhe Szoboszlai.
Sfida tjetër, Sportingu i Lisbonës-Besiktas përfundoi me fitoren e pastër 4-0 të kampionëve të Portugalisë.