Të paktën tre projekte kullash të mëdha 25-30 kate në Tiranë kishin planifikuar të nisin punimet që në vitin 2017, por duket se planet e tyre kanë ndryshuar për të përfituar nga incentiva e qeverisë për përjashtimin nga taksat. Burimet nga tregu pohojnë se zhvilluesit e ndërtesave të larta po ndryshojnë destinacionin fillestar të godinave për të përfituar nga përjashtimi i pagesës së taksës së infrastrukturës fillimisht, e cila në Tiranë është 8 për qind e vlerës së shitjes së objektit për banim dhe 4 për qind kur është hotel. Kjo taksë krijon koston më të lartë gjatë procesit të ndërtimit.
Teksa ndërtuesit kanë kthyer sytë për të fituar nga lehtësitë, paketa ligjore që nxit investimet në këtë fushë është konfuze dhe krijon kontradita. Ndryshimet në ligjin për turizmin në muajin dhjetor (ligji nr 114/2017) përcaktojnë se përjashtimin nga taksat TVSH dhe Tatim-Fitimin për dhjetë vitet e para të aktivitetit e përfitojnë strukturat akomoduese me 4-5 yje dhe që duhet të investojnë së paku 8 milionë euro për standardin me 4 yje dhe 15 milionë euro për standardin me pesë dhe yje. Ligji 114/2017 thotë gjithashtu së përfitues janë hotelet me 4-5 yje që kanë status special. Statusi special përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Burimet nga tregu pohojnë se po ne dhjetor të vitit 2017 janë bërë ndryshime në ligjin për taksën e infrastrukturës, të cilat janë tërësisht në kontradikte me ndryshimet që kanë bërë në ligjin për turizmin. Sipas këtyre ndryshimeve “përjashtohen nga pagesa e taksës së infrastrukturës investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese “hotel/Resort me pesë yje, status “, sipas përcaktimit të legjislacionit në fushën e turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarisht”. Mirëpo ligji për Turizmin nuk ka e ka përcaktimin, “Brand Name”. Sipas këtij përcaktimi investitorët vendas nuk përftojnë përjashtim nga taksat.
Pavarësisht rrëmujës ligjore, ndërtuesit që kishin planifikuar të nisin ndërtimin e kullave të lartë në zonën brenda unazës po i shndërrojnë ato në hotele me 4-5 yje dhe sakaq janë duke lobuar që te hiqet togfjalëshi “Brand name” nga ligji i taksës së ndikimit në infrastrukturë. Investimet rrezikojnë të mos nisin edhe ketë vit pasi qeveria ka lajmëruar në ligjin për turizmin se udhëzimet që do të sqarojnë modalitet e përfituesve do të miratohen përgjatë 9 nëntë muajve dhe për pasojë ligji për përjashtimin nga taksat nuk mund të aktivizohet.
Lehtësitë fiskale për turizmin
Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë tatimfitim për një periudhë 10-vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Sipas ligjit, përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.
Ligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” këtë vit sjell një nivel të ri zbatimi ku, së pari, vendosja e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnizimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Deri dje, ky nivel TVSH-je ofrohej vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend. Por trajtimi i diferencuar bëhet vetëm për ata me status special, që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH.
Hotelet kanë lehtësi edhe te taksa e infrastrukturës. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje (brand name), taksa e infrastrukturës do të jetë zero, ndërkohë që normalisht për këtë kategori ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, ajo aplikohet në 4% të vlerës totale të projektit, ndërsa në bashkitë e tjera nga 1-3%./ Monitor