Dy punonjës policie kanë rënë në pranga 48 orët e fundit në Mallakastër dhe Kukës pas një operacioni të SHÇBA-së në bashkëpunim me Policinë e shtetit. Ata akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.
Sipas njoftimit të uniformave blu, punonjës i parë që u kap është inspektori 58-vjeçari R. C. Ai ishte me detyrë ndihmës specialist i Policimit në Komunitet në Kukës. Gjithashtu në pranga kanë rëndë edhe kryeplaku i fshatit Piskë dhe një 58-vjeçar, banorë në fshatin Piskë.
Kapja e tyre u bë pas një hetimi disamujor me metoda proaktive. Rezulton se punonjësi i Policisë dhe kryeplaku i fshatit Piskë, duke keqpërdorur atributet që u jep detyra, kanë lejuar dhe garantuar autorët e dyshuar të kryejnë këtë veprimtari të kundraligjshme.
Edhe pse dyshohet se kishin dijeni mbi kultivimin e narkotikëve, ata nuk kishin informuar autoritetet. Hetimet vijojnë në lidhje me implikime të tjera të mundshme.
Ndërkohë, dje në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Berat dhe Komisariatin e Policisë Mallakastër, si dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, në kuadër të operacionit “Gjerbës”, SHÇBA ekzekutoi vendimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për punonjësin e policisë, L. XH., 51 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Komisariatin e Policisë Mallakastër, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”.